Dhjetëra ministri e agjenci me veprimtari lokale në veri, rrezikojnë të mbyllen

17.01.2017 10:17:45

Njëri prej ekstremistëve më të mëdhenj serb në veri të Mitrovicës, Millan Ivanoviq, drejtor i Spitalit të Veriut, ka kërkuar që në veri të zbatohet rendi kushtetues i Republikës së Serbisë, ndërkohë ka paralajmëruar se nuk do të lejohet puna e 15 ministrive “të të ashtuquajturës Republikë e Kosovës” në veri të Mitrovicës.

15 ministri dhe agjenci qendrore, që kanë fushëveprimtari lokale në Mitrovicën Veriore, rrezikojnë të mbyllen pasi pronari që kishte lëshuar objektin me qira nga presion i serbëve lokalë detyrohet t’i dëbojë nga aty.

Këto 15 ministri e agjenci: Ministria e Administratës Publike; Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal; Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit; Ministria e Tregtisë dhe Industrisë; Ministria e Zhvillimit Ekonomik; Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural; Ministria për Kthim dhe Komunitete; Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor; Administrata Tatimore e Kosovës; Agjencia e Statistikave të Kosovës; Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit e Kosovës; Agjencia për Mbrojtjen e Pyjeve; Agjencia Kadastrale e Kosovës; Agjencia e Arkivave; Agjencia e Shoqërisë së Informacionit dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës janë të vendosura në objektin e Sasha Dedoviqit, pronar i hotelit “Sasa” në veri të Mitrovicës, shkruan sot, gazeta Zeri.

Ky objekt ishte inauguruar më 28 dhjetor të vitit të kaluar nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

Më i zëshmi që këto objekte të largohen nga kjo ndërtesë në veriun e vendit ishte Millan Ivanoviq, mjek me profesion, aktualisht drejtor i Spitalit të Veriut dhe për një kohë të gjatë kryetar i Këshillit Nacional Serb, i cili ka përsëritur kërkesën e tij që në veri të Kosovës të zbatohet rendi kushtetues i Republikës së Serbisë e në asnjë mënyrë ai i Republikës së Kosovës.