Diana Çuli rrëfehet në Prishtinë: Shqetësimi im i vetëm, koha

18.03.2019 14:01:46

Shkrimtarja e ftuar në Letërsia dhe Qyteti në një bisedë me lexues mbi letërsinë dhe romanin e fundit “Vrasje në kryeministri” “Letërsia nuk mund të jetë një kullë e fildishtë e shkëputur nga ajo çfarë ndodhë jashtë teje. Është e pamundur. Sado të përpiqesh, nëse mbyllesh e jeton si shkrimtar vetëm brenda, pa interes se çfarë ndodh jashtë. Unë s’e bëj dot këtë jetë, prandaj jam munduar të bëj edhe gjëra të tjera, që të më duket se tani po bëj prej vërteti diçka për shoqërinë ku po jetoj.

Më dukej si egoizëm të bëja vetëm letërsi, sidomos në periudhën e tranzicionit që patëm ku çfarëdolloj veprimi, ishte një gur i vogël një ndihmë, për të dalë nga gremina ku ishim”, kështu u shpreh shkrimtarja Diana Çuli, në një takim me lexuesit në Prishtinë e pyetur mbi letërsinë.

Në një diskutim mes akademikun Aliu Aliu dhe kritiken Alda Bardhyli, shkrimtarja foli për rolin e shkrimtarit në shoqërinë e sotme, duke bërë dhe një rikthim në të shkuarën, kur debutoi për herë të parë në letërsi në vitet 80-të. Letërsia, tha Çuli, ishte ëndrra e saj e madhe, ndaj nuk i është ndarë asnjëherë shkrimit, pavarësisht se, për vite me radhë librat e saj nuk pasoheshin me kritika.

”Mendoj që letërsia nuk duhet të orientojë, letërsia mund të konstatojë, mund të shohë, mund të përpunojë, letërsia merret me njeriun. Letërsia nuk është reportazh, politikë apo linguistikë. Letërsia ka pasur një tronditje edhe për shkak të teknologjisë, për shkak të onlinit, të telefonit e të televizionit. Nevoja që ka njeriu për fantazi, për të menduar, për të reflektuar i merr kohë, por mendoj se bëhet një selektim, ai që është më i mirë ai reziston”, u shpreh Çuli.

Sipas saj, “Letërsia një rol misionar ka, të pastron shpirtin, ose të bën ty pak më të mirë, po të marrim më të përgjithshmen e letërsisë. Por pa dyshim që diskutimi vlen p.sh për shkak të realizmit socialist që pati një dogmë që vinte në kusht se letërsia duhej të ishte e angazhuar, pati një reagim shumë negativ ndaj saj në Evropë dhe u bënë rrymat e letërsisë së paangazhuar. Tani kjo është kthyer në etikë ne do ngrehim pikëpyetje në aspektin moral jo në kuptimin e zakonshëm”, tha shkrimtarja. Sipas saj, shqetësimi i vetëm si shkrimtare që ka sot, është koha. “Nuk kam kohë gjithë jetën më ka ndjekur kjo”.

E pyetur mbi autoret gra në letërsinë e kulturën shqipe, dhe zakonet e shkrimit, shkrimtarja u shpreh se “Unë jam një grua dhe e kam pësuar nga të qenit grua në shoqërinë shqiptare. Në kohën kur kam lindur fëmijët më duhej të kryeja gjithë punët e rënda me kushte të vështira teknike. Edhe tani nuk është e lehtë, nuk kam zakon dot të caktuar se duhet mbaruar gjithë punët e tjera që më pas të mund të gjej në orë për veten”, tha ajo.

Shkrimtarja foli dhe për romanin e saj të njohur “Dreri i trotuareve” që këtë vit shënon 30 vite jetë. “ Nuk e kam kuptuar çfarë e bëri aq të dashur këtë libër. E kam shkruar në fillim viteve 80’, e dorëzova me 83-shin në shtëpinë botuese dhe nuk ma botuan. Nuk më thanë që kishte gabime, por ma lanë në sirtar. U botua me 89’ën”, ka thënë Çuli.

Akademiku Ali Aliu i bëri një analizë romanit “Vrasje në kryeministri” duke thënë se ndoshta ka qenë libri i parë që nuk e ka lexuar në letër por pdf dhe i ka ardhur si freskim nga lexime pak më të rënda. “Librin e ka vlerësuar si një thriller tamam me origjinë shqiptare për faktin se sjell frymë nga ky ambient. Libri bën një kombinim në mes të politikës realiste dhe trendeve bashkëkohore.

Dianën e kam ndjekur si romanciere është një ndër romancieret e mira të letërsisë sonë. ”, ka thënë Aliu. Ky roman thriller, sipas akademikut Aliu është i tillë, që lexohet pa një kornizë kohore dhe hapësinore, ku lexuesi ndjek vetëm zbërthimin e një krimi të supozuar. Në roman ka një krim që zbulohet dhe është në fond të situatës politike të një hapësirë të Ballkanit, që del edhe përtej saj.

“Krimi ndodh në një luftë të çuditshme sa tokësore sa nëntokësore, të dy blloqeve. Një Blloku që është proevropian dhe një tjetri kundërevropian. Duke e lexuar gjithnjë duke pasur ato ditë nëpër mend këtë ngjarje që tenton të zbulojë krimin, të sjell në mend ngjarjen e një politike që është në qendër të vëmendjes edhe sot”, ka thënë Aliu.

“Kënaqësia e leximit të këtij romani shtohet edhe për arsye se lëvizja hapësinore e rrëfimit përfshin një hark ku ka ecur dhe e njeh. Duke nisur nga Prespa ime drejt Selanikut, në Kavall, këndej nga veriu për në Beograd ku kam kryer studimet nja katër pesë vjet, në Moskë ku ne dilnin si studentë e prisnim nga një letër nga Kosova kur ishim studentë. Edhe këto më kanë motivuar të lexoj”, ka thënë Aliu. Sipas tij, në roman ka shpërthime psikologjike, batuta me elegancë e estetikë. Libri është i tillë që freskon me informata, me rrëfim dhe gjuhë jashtëzakonisht të bukur e të rrjedhshme.