Dita e Familjes e shpallur më 15 maj nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara edhe në Kosovë

15.05.2019 09:26:59

Dita ndërkombëtare e familjes e cila është shpallur me 15 maj nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për problemet dhe çështjet e familjes. Familjet në ditët e sotme ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet, mirëpo familja prapë mbetet institucioni i një shoqërie të shëndosh.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës gjatë tri viteve të fundit kanë ndodhur 39 mijë e 390 kurorëzime. Ndërsa po ashtu sipas ASK-së gjatë këtyre tri viteve 1 mijë e 520 çifte janë shkurorëzuar.

“Gjatë vitit 2017 janë kurorëzuar 17.406 çifte, ndërsa janë shkurorëzuar 674 çifte. Gjatë vitit 2018 janë kurorëzuar 16.956 çifte, ndërsa janë shkurorëzuar 713 çifte”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Ndërsa në këtë raport janë shfaqur shifrat e kurorëzimeve dhe shkurorëzimeve vetëm në tre mujorin e parë të vitit 2019, shifra këto të cilat dallojnë dukshëm me tre muajt e parë të dy viteve paraprake.

Në tre mujorin e parë të vitit 2019 janë rritur kurorëzimet më shumë se sa në tre muajt e parë të viteve 2018 dhe 2017. Po ashtu në tre muajt e parë të 2019 janë zvogëluar shkurorëzimet në krahasim me tre muajt e parë të viteve 2018 dhe 2017.

“Në tre mujorin e parë të vitit 2019 janë kurorëzuar 5028 çifte, shifër kjo e cila është më e lartë se sa dy vitet paraprake, ku në vitin 2018 ishin kurorëzuar 4958 çifte, ndërsa në vitin 2017 ishin kurorëzuar 4678 çifte. Kurse në tre mujorin e parë të vitit 2019 janë shkurorëzuar 133 çifte, shifër kjo e cila është më e vogël se në dy vitet e kaluara, ku në tre mujorin e parë të vitit 2018 janë shkurorëzuar 216 çifte, ndërsa në tre mujorin e parë të vitit 2017 janë shkurorëzuar 217 çifte”, thuhet në raportin e statistikave.