Dobësohet fuqia e Shpend Ahmetit në Komunën e Prishtinës, ja pse?

30.06.2017 14:10:06
Një pjesë e kabinetit të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti kanë marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet në Parlamentin e Kosovës.

Në garë për t’u bërë deputet ishte gati i gjithë kabineti i Ahmetit. Por, votat e mjaftueshme i kanë marr nënkryetari Dardan Sejdiu, drejtori i Urbanizimit, Liburn Aliu, drejtoresha e Arsimit, Arbërie Nagavci, shefja e kabinetit të kryetarit, Fitore Pacolli-Dalipi, këshillarja e kryetarit Ahmeti, Saranda Bugujevci, e cila ka qenë edhe drejtoreshë e Kulturës.

Po ashtu, votat i ka fituar edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Prishtinës, Qëndron Kastrati. I dyti më i votuari në VV ka dalë edhe kryetari Shpend Ahmeti, por ai ka deklaruar se nuk do të bëhet deputet, pasi që  do të garojë edhe për një mandatë për kryetar të Prishtinës, shkruan lajmi.net.

Ahmeti nuk do ta ketë më zëvendës, nënkryetarin Dardan Sejdiu, pasi ka deklaruar se do ta lërë Komunën për të qenë deputet. Këto largime do ta dobësojnë fuqinë e Shpend Ahmetit në Prishtinë, sepse këta emra kanë qenë promotorë të rëndësishëm të punës në kryeqytet.

Sipas një deklarate të bërë në rrjetin social facebook, edhe Fitore Pacolli –Dalipi, shefe e kabinetit të kryetarit Ahmeti do ta lërë Komunën.

“Të dashur qytetarë, miq e familjarë ju falënderoj nga zemra për përkrahjen që i dhatë Lëvizjes Vetëvendosje! duke e bërë Lëvizjen subjektin e parë në vend dhe Albin Kurtin kandidatin më të votuar në Kosovë. Ju falënderoj nga zemra dhe u jam mirënjohëse të gjithë juve që më keni dhënë besimin t’iu përfaqësoj, për herë të parë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ju siguroj se do të punoj pa ndalur dhe me dinjitet për të mbrojtur në mënyrën më të mirë interesat e qytetarëve dhe të Republikës sonë, për të ndryshuar gjendjen e rënd në vend dhe për ta bërë Kosovën vend të zhvilluar ku të gjithë pa dallim të kenë mundësi të barabarta në arsim, shëndetësi, punë dhe mirëqenie”, ka shkruar Pacolli.

Gjasat që të ikë nga Komuna janë edhe për drejtoreshën e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Ju faleminderit nga zemra secilit prej jush që më keni besuar përgjegjësinë e përfaqësimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës!  Unë do të angazhohem pa u kursyer asnjë moment që të jap më të mirën nga vetja me përgjegjësi e profesionalizëm, me ndershmëri e dinjitet, në rrugëtimin për një Republikë më të mire! Besimin që më dhatë do ta shëndrroj në zërin dhe vullnetin tuaj! E di se kësaj rradhe nuk ka qenë e vështirë të bëni zgjedhjen e subjektit, por ka qenë e vështirë të vendosni për pesë emrat nga lista e kandidatëve të Lëvizjes VETEVENDOSJE! andaj e çmoj jashtëzakonisht secilën votë që më besuat!  Jemi shumë e jo vetëm se do të vazhdojmë bashkë, por do bëhemi edhe më shumë! Bashkë e bëmë kapërcimin e madh duke e nxjerrë Lëvizjen si subjektin më të madh politik në vend, bashkë do të vazhdojmë rrugën përpara për të bërë këtë vend më të mire për secilin prej nesh!”, ka shkruar në fb, Nagavci.

Drejtori i Urbanizmit, Lirbun Aliu nuk e ka sqaruar pozicionin e tij, kundrejt besimit të marrë nga qytetarët për deputet të Parlamentit të Kosovës, pos që ka falënderuar votuesit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve nacionale. Lëvizja Vetëvendosje! mori 200138 vota dhe zëri qytetar i bashkuar me organizatën tonë do të përfaqësohet nga 32 deputetë. Jam i nderuar, që në mesin e tyre jam zgjedhur edhe unë si deputet. Falënderoj të gjithë qytetarët që votuan Lëvizjen Vetëvendosje! dhe mua si kandidat të saj. Ndryshimin do ta bëjmë bashkë”, ka shkruar Aliu në rrjetin social fb.

Lajmi.net ka mësuar se shefi i Asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Qëndron Kastrati do ti bashkohet grupit të deputetëve të Parlamentit të Kosovës.

Është mësuar se postin e këshilluarës së kryetarit të Komunës  për tu bërë deputete do ta lërë edhe Saranda Bugojevci

Sipas Kushtetutës së Kosovës, mandati i deputetit fillon në ditën e certifikimit të rezultatit. Ndërkohë, rezultatet ende nuk janë certifikuar pasi është koha e deponimit të ankesave në PZAP.