Doli për peshk por ngarkoi 119 kg drogë në brigjet shqiptare, arrestohet peshkatari italian (Video)

06.08.2016 15:08:33

Një peshkatar italian ka rënë në prangat e policisë së shtetit fqinj pasi iu gjet në mjetin e tij lundrues 119 kg kanabis sativa e ngarkuar në Shqipëri.

Në pranga ra Ivano Palermo, 51 vjeç, i cili do të paguhej me 30 euro për kilogram me qëllim dërgimin e sigurtë të ngarkesës së drogës.

Sipas policisë, Palermo ishte kthyer me anijen e tij nga Shqipëria në San Cataldo, por aty është gjetur nga policia.

Palermo me anijen e tij të gjatë 6 metra e gjysëm kishte dalë për të peshkuar, por kishte devijuar lundrimin e ishte ankoruar në brigjet shqiptare ku kishte marrë edhe lëndën narkotike kanabis sativa.

Arrestimi i tij është bërë nga oficerët e “Gico” të Otranto.