Dy fjalë për pjesëmarrjen e princit serb në dasmën e princ Lekës

11.10.2016 13:05:52

Nga Rexhep Kastrati

Martesa e princit Leka përveçse u trajtua publikisht për shumë aspekte, edhe të natyrës krejt personale, u trajtua edhe për faktin se në të kshte marrë pjesë edhe princi serb, Aleksandri. Dhe për fat të keq, si shumë çështje tjera që trajtohen me paragjykime dhe me injorancë, edhe kjo pjesëmarrje u interpretua në mënyrë aspak të drejtë dhe aspak profesionale. Bile kjo pjesëmarrje u konsiderua anë e errët e kësaj ceremonie martesore, duke u vënë në pah edhe fotografitë që janë bërë me atë rast. Është e qartë se kur bëhet fjalë për princin Leka, goditja në këtë kontekst merr zjarr edhe për shkak se është nipi i mbretit Zog. Historiografia komuniste që është bazuar në gjysëm të vërteta dhe në të pavërteta, ka bërë një përshkrim të papërshtatshëm dhe jo në përputhje me konstekstin socio-historik, gjeopolitik e gjeostrategjik, përshkrim të cilin nuk  e kanë rrëzuar ende studimet e kryera edhe nga autorë të huaj, edhe nga autorë shqiptarë. Në këtë kontekst, edhe pjesëmarrja e princit serb, Aleksandër në ceremoninë e martesës së princit Leka, u interpretua si anë e errët e kësaj ceremonie.

Në fakt, kjo pjesëmarrje është protokolare, është pjesëmarrje që vjen nga tradita që në ceremoni partesore dhe të tjera, pra edhe mortore të marrin pjesë familje mbretërore të vendeve të ndryshme. Para dasmës, ishte bërë e njohur  se “Ftesat familjeve mbretërore europiane u janë shprëndarë prej kohësh siç e kërkon protokolli.”. Pra, ftesa u janë bërë familjeve mbretërore evropiane, e jo vetëm një familjeje. Pjesëmarrja pastaj është çështje tjetër, sepse edhe në dasmat më të zakonshme ndodh që të mos vijnë të gjithë të ftuarit. Në këtë kuptim, edhe pjesëmarrja e princit serb, Aleksandër do të duhej të konsiderohej vetëm si protokollare. Përpjekjet për të interpretuar me dashakeqësi, apo edhe me injorancë, përveçse janë komprometuese për vetë ata që bëjnë këso përpjekjesh, janë edhe mabjtje gjallë e mendësisë komuniste të trajtimit të historisë.

Pjesëmarrja e princit serb, Alekasandër në ceremoninë martesore, po ashtu duhet të shihet edhe në kontekst të statusit formal që ka familja mbretërore shqiptare dhe familja mbretërore serbe, pasi që të dyja këto familje nuk kanë status të familjeve pushtetore. Dhe në këtë kontekst, nuk paraqet asnjë konsenkuencë për shtetin shqiptar dhe për intersat kombëtare. E kundërta është për partitë politike shqiptare të cilat e kanë kthyer Tiranën në një qendër dëmtuese të interesave shtetërore dhe kombëtare shqiptare. Marrëdhëniet e shtetit shqiptar me Beogradin, përveç anës protokollare, kanë edhe anën e vendimmarrjes dhe të ndikimeve politike dhe të tjera brenda dhe jashtë shtetit shqiptar. Ping pongu politik që laujnë Tirana dhe Beogradi, aktrimet e ndryshme me role patriotësh, që inskenojnë edhe fluturime dornësh, janë tepër shqetësuese dhe të dëmshme. Vetëm efektet negative të dronit janë aq të mëdha, sa t’i shërbejnë Serbisë për të akuzuar shqiptarët se duan të krijojnë të ashtuquajturën “Shqipëri të Madhe”, dhe këto akuza t’i adresojë drejtpërdrejt te zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden dhe te kancelarja gjermane Merkel, dhe në gjithë diplomacinë botërore. Bile pati edhe përfshirje të mediave dhe të shtetit rus në akuza ndaj shqiptarëve se duan të krijojnë të ashtuquajturën “Shqipëri e Madhe”.