Dy fjalë skribomanëve: Qëndrimi ndaj qeverisë nuk është edhe qëndrim ndaj shtetit shqiptar!

15.10.2016 17:31:36

Nga Rexhep Kastrati

Komente të shumta kanë shpërthyer në një kohë shumë të papërshtashme për raportin e shqiptarëve jashtë shtetit shqiptar me qeverinë e këtij shteti, dhe është për të vënë në dukje se të gjitha këto komente e devijojnë thelbin e çështjes nga një raport i tillë, në raportin e shqiptarëve me vetë shtetin shqiptar. Dhe kjo sa është për të ardhur keq, është edhe shumë e rrezikshme, sepse qoftë me qëllim, qoftë edhe pa qëllim, po bëhen njësh dy çështje të ndryshme: qëndrimi ndaj qeverisë dhe qëndrimi ndaj shtetit. Dhe, për fat të keq, tërë kjo po shkon në të mirë të përçarjeve brendashqiptare dhe atyre që po e propagandojnë një komb kosovar. Është kështu për faktin se duke bërë bashkë qëndrimin e shqiptarëve jashtë shtetit shqiptar me qëndrimin e tyre ndaj vetë shtetit shqiptar, këta farë komentues, apo thënë më mirë skribomanë, rezervat dhe mosmbështetjen që shqiparët jashtë shtetit shqiptar kanë ndaj angazhimeve konkrete të qeverisë aktuale të Edi Ramës me qëndrimin ndaj vetë shtetit shqiptar duan t’i paraqesin si rezerva dhe qëndrim refuzues ndaj shtetit. Dhe  e di gjithkush se shteti, vendi është i përhershëm, kurse qeveritë janë kalimtare. Shteti është i shenjtë edhe kur është mirë, edhe kur është keq, edhe kur ka qeveri të mirë, edhe kur ka qeveri të keqe. Edhe brenda një shteti ka që nuk e kanë votuar qeverinë që është në qeverisje, dhe nuk i votojnë as politikat e saj zhvillimore dhe të tjera, por kjo nuk do të thotë se e bëjnë këtë se nuk e duan vendin: ata mund ta duan vendin më shumë se këta të tjerët. Pra, një çështje shumë elementare dhe shumë e thjeshtë, përzihet për të manipuluar opinionin dhe për të nxjerrë konkluzione të gabuara.

Shqiptarët e Kosovës dhe të territoreve të tjera shqiptare në shtetet e dala nbga ish-Jugosllavia kanë rezerva dhe nuk pajtohen me politikat rajonale që po ndjek qeveria në krye me Edi Ramën, sepse këto politika nuk janë të sinqerta dhe nuk janë në interes të shqiptarëve si komb. Shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e tjerë në territoret shqiptare në shtetet e dala nga ish-Jugosllavia nuk po u besojnë anagzhimeve të një njeriu i cili në pushtet erdhi me platformë kozmopolite, dhe po sillet si një nacionalist i thekur. Natyrisht, shqiptarët e Kosovës dhe të territoreve të tjera në shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, nuk po e pëlqejnë mënyrën e sjelljes dhe të angazhimeve të Edi Ramës, të cilat sikur mëtojnë të duplifikojnë angazhimet institucionale të Kosovës. Në të gjitha këto angazhime ka shumë reflektime në anagzhimet e Beogradit për margjinalizimin e institucioneve të Kosovës dhe forcimin e linjës Beograd – Tiranë, duke e anashkaluar Prishtinën. Të kujtojmë se marrëveshja për autostradën Nish – Durrës është nënshkruar pa u konsultuar dhe pa qenë palë qeveria e Kosovës. Po ashtu, krijimi i Dhomës së Bizneseve Serbi – Shqipëri, ndërkohë që nuk ka një të tillë ndërmjet Kosovës dhe shtetit shqiptar, gjithsesi janë tepër shqetësuese. Pra, e gjithë çështja është në këtë nivel, dhe nuk ka të bëjë fare me ndjenjat dhe qëndrimin që shqiptarët e Kosovës dhe të territoreve të tjera në shtetet e dala nga ish-Jugoslavia kanë ndaj shtetit shqiptar. Shteti shqiptar është shteti që është ndërtuar me sakrificën shekullore të të gjithë shqiptarëve, por edhe është trungu të cilit mëtojnë t’i bashkohen një ditë. Prandaj, është jo vetëm joprofesionale, por edhe kundërkombëtare të bësh bashkë qëndrimin ndaj qeverisë me qëndrimin ndaj shtetit shqiptar, sepse kjo vetëm çon në nxitjen e ndjenjave të mosdurimit ndërmjet pjesëve të ndryshme të kombit shqiptar, e që më tej u jep krahë atyre që duan dhe angazhohen për krijimin e një kombi kosovar. Dhe kjo është edhe e rrezikshme, edhe kundërkombëtare, dhe ndodh në një kohë kur procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë ka hyrë në një fazë përfundimtare, e që është faza e ndryshimit të kufijve të jashtëm të ish-Jugosllavisë, përkatësisht të shteteve që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, kur edhe mund të ndodhë edhe bashkimi kombëtar i shqiptarëve. Dhe kjo fazë e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Kosovën duhet ta gjejë të konsoliduar si shtet, me institucione stabile dhe kompetente për të qenë faktor vendimmarrës në përputhje me zhvillimet e këtij procesi. Dhe kjo do të thotë se Kosova duhet të jetë e fortë, stabile me institucione të forta, përfshirë edhe ushtrinë e saj, që gjatë procesit të shpërbërjes përfundimtare të ish-Jugosllavisë të jetë në gjendje për të marrë vendimet e duhura për veten dhe, bashkë me shtetin shqiptar, të ndihmojnë edhe shqiptarët në territoret shqiptare në shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, të marrin vendimet e duhura. Dhe gjithë ky proces duhet të përbyllet me bashkimin kombëtar, e jo me ricopëtimin e territoreve shqiptare. Prandaj, përpjekja për të margjinalizuar Kosovën, për të duplifikuar angazhimet e saj rajonale dhe ndërkombëtare, është e rrezikshme dhe shumë e dëshme. Dhe reagimet nga Prishtina duhet parë në këtë kontekst, e jo në kontekst të ndjenjave dhe qëndrimeve ndaj vetë shtetit shqiptar.