Dy poezi nga Dije Lohaj

28.07.2018 10:01:29

 

DUA TË SHOH SI TI

Jam tejngopur nga fjalimet e botës
E ju, mos më flitni,
Pa i shafitur plagët e shpirtit,
Mos mē flitni pa e ditur
Se unë ndodhem, mes kësaj beteje të çuditshme,
Ku perimetri i saj është mes errësirës dhe dritës,
Ku vet ndërlikimi më shpie në tonin zbritës,
Ndërmjet qenësisë dhe asgjësë…!

Nuk u krijova vetë për të qenë koncept
I dyjëzuar apogjeve,
Ku brenda saj të njëmendësoj
Unin e përmbushur të vetvetes.
Mos më flisni se ndodhem Mes kësaj beteje të çuditshme,
SE DUA TË SHOH SI JU!
Të jem e lirë
E te ec korijeve bashkē me erën,
Të rrezoj bashkë me yjet e hënën territ,
Bashkë me diellin dritës…

Ndoshta, mendoni se unë, Nuk i shoh tingujt e flautës
E fëshfërimat e gjetheve,
Kur dyndin njëra-tjetrën,
Sa andej, sa këndej.
Unë shoh ndryshe nga ju,
Unë kam sy të tjerë,
Për të parë vallëzimin
E një balloje madhështore…

Ndoshta janë sy Homeri,
Sy ABC- je,
Apo sy Braili!
Ku brenda shpirtit tim,
Shoh grimcat e pluhurit të diellit,
Besoni, se e di që është i rrumbullakët,
E rrezes i them:
– Më ngroh!
Se ti je syri i agimeve
E soditja e mbrëmjeve.
Je dëshira ime nê maje të dijes,
Dhe shpalosje e dlirtë
Në perimetrin e të qenurit
Mes errësirës e dritës…!

VDEKJA NUK DO TË MË VDESË MUA

Nëpër të gjitha 
Dritëhijet e shpirtit,
Jeta frymon,
Si për mua edhe për ty,
Përtej e këndej vdekjes,
Bekuar nga një fatlumësi
Siç është Dashuria.

Dhe në përmasat
E të çdo gjurme,
Hapat e përgjërimit
Matin udhët,
E harrimi i molisur
Bisqe të reja shtatëzon,
Ngulur në plasat e mallit
Në gurin e shpuar
Me lot zane.

Monologun e vështrimit
Ligjëron,
Lozonjarë si përherë
Në çdo stinë qielli,
Por dije si tani si dikur,
Kurdo që të vijsh
E ngado të rishfaqesh,
Ndryshkun e mungesës tënde
Do ta heqësh
Që vdekja të mos na vdesë,

Dhe çuditemi si paskemi qenë
Me këmbë të lidhura
Prangosur ndjenjash
Me sy të zënë
Me pelerinë zezonë,
Me dushkun e tharë të puthjeve,
Tretur në tejlargësitë e mallit,
Rënduar nga pesha
E pasthirrmave të dhembjes.

Ku çdo pjesë e trupit pëshpërit:
Këngët e kënduara dikur,
Simfoni e përshpirtshme e mishërimit,
Një arie harqesh që mbajnë
Shtatin tënd
Si tundimin që mbajtën
Urat e legjendave,
Nga kalon kolona e betimit:
– Edhe për vdekjen që katandisë
Edhe epokat që lamë
Edhe për jetën që ngjizuar kishim
Për të rilindur shpresat…

Vetë jam zot,
Dhe vdekja nuk do të vijë
Përjetë e mot.