Dy vëllezërit rrëfejnë për vrasjen që kryen në mal

14.11.2016 23:09:22

Vëllezërit Nikollë e Pren Shyti, të cilët akuzohen për vrasjen e Sokol Nrecajt, kanë dhënë në Gjykatën e Gjakovës versionin e tyre për rastin që ka ndodhur më 11 mars 2013 në një mal afër shtëpisë së tyre, në fshatin Moglicë.

Në këtë lëndë, Nikollë Shyti akuzohet për veprat penale – vrasje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa vëllai i tij Preni për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm.

Duke e dhënë mbrojtjen e tij, Nikollë Shyti tha se ditën kritike kishin dalë me të vëllanë për të kontrolluar malin dhe në një moment kishin hasur në tashmë viktimën Sokol Nrecajn dhe djalin e tij Jozefin.

I akuzuari tha se iu është drejtuar me fjalët: Pse po preni dru në mal të huaj, a e dini se krejt malin jeni tuj e tha?. Atëherë, sipas tij, Jozefi i ka sulmuar me sakicë.

“Jemi tërhjek me vëllavin dhe e kam qitë mas shpine, sepse ai s’kishte kurrgjë për m’u mbrojtë. Aq sa kam mujtë e kam shty me cev të automatit Jozefin që të mos afrohet ma afër. Atëherë ka ardhë i ndjeri, Sokoli, i cili më ka sulmu me sakicë dhe e kam pa që nuk muj me ikë dhe se këta nuk po dojnë mu tërhjekë, se po dojnë me na rreziku jetën, jam ndal dhe ia kam qitë fishekun në cev të automatit dhe u kam piskatë: Mos u avit se qes! Nalu!”, tha Nikollë Shyti.

Më tej, ai shtoi se ka dashur të gjuajë përpjetë por se aq shpejtë i është afruar Sokoli sa nuk ka pasur mundësi të shtinte në ajër dhe se i kujtohet se ka shtënë një herë. “Atëherë nuk e di as vet qysh kam ikë“, tregoi Nikollë Shyti

Ndërsa, i akuzuari Pren Shyti tregoi se në ditën kritike kishin dalë për të kontrolluar malin dhe se kur kishin shkuar atje, vëllai i tij Nikolla e kishte marrë me vete një “Kallashnikov”, e vetë ai nuk kishte armë.

Por, i dëmtuari Jozef Nrecaj e kundërshtoë deklaratën e të akuzuarve, duke theksuar se në ditën kritike të dy vëllezërit Shyti ishin të armatosur kur i takuan në mal.

“Momentin e parë kemi qenë të dorëzuar nga Preni me revole. Unë kam ra në gjunj, baba është shtri ratë në tokë. Kur ka ardhë Nikolla duke shajt mua më ka ra me cev të automatit në qafë… Sakicë nuk kam pasë. Baba e ka pasë sakicën në dorë po kur ka ardhë Preni me revole baba e ka lëshu sakicën në tokë”, tha Jozef Nrecaj, i cili është nga Pjetërshani.

Sipas aktakuzës, Nikollë Shyti akuzohet se me dashje e ka privuar nga jeta Sokol Nrecajn më 11.3.2013. Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur te vendi i quajtur “Lugu i keq” në fshatin Moglicë, ku pasi kishte vërejtur tashmë të ndjerin Sokol dhe djalin e tij Jozef Nrecaj duke prerë dru me sopatë dhe me qerren e tij i urdhëron që të mos presin dru dhe të gjunjëzohen dhe me tytën e pushkës automatike i bie të dëmtuarit Jozef Nrecaj dhe pas një momenti gjuan në drejtim të Sokol Nrecajt, duke e qëlluar në kraharor.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se pas kësaj, i akuzuari Nikollë Shyti bashkë me vëllain e tij, Prenin, e ngarkojnë trupin e Sokolit në qerre dhe e urdhërojnë Jozefin të niset drejt fshatit Pjetërshan.

I akuzuar Nikollë Shyti është në paraburgim qe tre vjet. /Kallxo.com/