E krahasoi Vuçiçin me Gebelsin, Serbia notë proteste për ministrin e Jashtëm Cakaj

18.02.2020 19:43:21

Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë dërgoi një notë proteste në adresë të Ambasadës së Shqipërisë në Beograd, në lidhje me deklaratën e bërë nga Ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, që e krahasoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me politikanin nazist gjerman, Paul Jozef Gebels.

Ky i fundit drejtonte Ministrinë e Propagandës dhe ishte një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Adolf Hitlerit. Krahasimin Cakaj e bëri pas deklaratave skandaloze të Aleksandar Vuçiçit, i cili mohoi masakrën e Reçakut.

“Joseph Goebbels i propagandës së Millosheviçit tani është shndërruar në kampion të mohimit, nënvlerësimit dhe trivializmit të krimeve të luftës. Skandaloze!”, deklaroi Cakaj.

Në letrën e protestës, Serbia konsideron se deklarata të tilla nuk kontribuojnë në përmirësimin e raporteve Beograd-Tiranë.

“Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë shpreh respektin e saj ndaj ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd dhe shpreh protestën më të ashpër me rastin e deklaratës së turpshme të Ushtruesi të Detyrës së Ministrit për Evropë dhe Punë të Jashtme, Gent Cakaj, i cili presidentin e Republikës (Serbisë) e krahason me Goebbelsin”, thuhet në letrën e dërguar më 7 dhjetor 2019, një ditë pas deklaratës së Gent Cakajt.

Serbia kërkoi nga Republika e Shqipërisë që t’i dënojë deklarime të tilla dhe të distancohen nga to.

“Deklarata të tilla në asnjë formë nuk i kontribuojnë përpjekjeve që jemi duke i bërë për avancimin e raporteve të dy vendeve tona dhe marrëdhënieve të përgjithshme në rajon. MPJ e Serbisë pret që Shqipëria t’i dënojë këto deklarata dhe të distancohet nga to. MPJ e Serbisë shfrytëzon këtë rast që Ambasadës së Shqipërisë t’ia ritheksojë respektin e lartë”.