Ecclestone pas 40 vitesh jashtë Formula 1, ja drejtuesit e rinj (Foto)

24.01.2017 11:45:29

Nis epoka e re e Formula 1, me pronarë të rinj dhe emra të rinj në postet drejtuese të botërorit të garave të automobilizmit. Ajo që bie në sy është se 85-vjeçari Bernie Ecclestone, që ka qenë në krye të këtij sporti për 40 vjet, tashmë nuk është më pjesë e tij. Edhe pse në shtator të vitit të kaluar u përfol se pronarët e rinj të “Liberty Media” do ta mbanin për tri vite Ecclestone (si ndërmjetës), duket se gjatë këtyre muajve kanë ndryshuar mendje. Kompania amerikane mediatike pagoi gati 8 miliardë euro për të blerë aksionet e Formula 1, duke nisur edhe një ndryshim rrënjësor në strukturë.

“Më kanë pushuar, tani nuk më mbetet gjë tjetër veçse të largohem. Mund ta konsideroni si një lajm zyrtar. Nuk jam më unë ai që drejtoj garat e Formula 1. Vendim tim e ka zënë Chase Carey”, ka thënë sot për mediat britanike Bernie Ecclestone, që ka shtuar se do të refuzojë çdo ofertë honorifike që do t’i vijë nga pronarët e rinj (president nderi). Në krah të Carey do të jenë edhe EeSean Bratches (drejtues i 21 Century Fox) si dhe Ross Brawn, një nga personazhet e njohur të Formula 1, si drejtues i Ferrarit dhe Mercedes. Duket se në krye të Formula 1 do të jetë një grup dhe jo më një njeri i vetëm, por priten zhvillime të tjera ditët në vijim. telesport.al