Eduard Kukan, Aleksandër Vuçiq, Edi Rama

24.10.2016 14:19:14

Nga Rexhep Kastrati

Shefi i delegacionit të PE-së për Serbi, Eduard Kukan, eurodeputeti nga Sllovakia, në mënyrë shumë të drejtpërdrejt ka përcjellë qëndrimin e Serbisë për ligjin për Trepçën. Në një deklaratë të tij, z. Kukan është shprehur se për këtë ligj duhet të diskutohet në kuadër të negociatave të Brukselit, duke dalë edhe kundër qëndrimit zyrtar të BE-së se për këtë çështje mund të bisedohet në Bruksel vetëm nëse edhe Kosova pranon të diskutohet. Pra, Eduard Kukan, si përfaqësues i PE-së për Serbinë, në vend se të ishte në një linjë me institucionet evropiane, del në një linjë me Serbinë. Në këtë mënyrë, ai po sillet tamam si një përfaqësues i politikës dhe shtetit sllovak që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe që vetëm pak ditë më parë bëri që Kosova të provokohej me mosprezentimin zyrtar të saj, sipas marrëveshjes në Bruksel. Me këtë, Eduard Kukan dëshmoi se incidenti diplomatik në Bratisllavë, nuk kishte qenë një lëshim, një pakujdesi apo edhe një rastësi, por një qëndrim i vendosur në linjën kundër subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Me deklaratën për Trepçën, z. Kukan, e nëpërmjet tij, edhe Sllovakia si shtet janë bërë zëdhënës dhe avokatë të qëndrimeve të Serbisë në institucione ndërkombëtare, e në këtë rast, në Parlamentin Evropian. Është çështje e Parlamentit Evropian se a do ta marrë këtë deklaratë si qëndrim personal të Eduard Kukan, apo edhe si qëndrim të tij, por gjithsesi, një deklaratë e tillë, është aspak diplomatike dhe në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës, në kundërshtim edhe me Rregulloret e UNMIK-ut që kanë rregulluar çështjen e pronës në Kosovë. Pra, qëndrimi i z. Kukan është thjesht qëndrim i Serbisë, kurse vetë ai ka rënë nga pozita e një europdeputeti të nderuar me përgjegjësi institucionale në Parlamentin Evropian, në një zëdhënës të Vuçiqit dhe të shtetit serb. Natyrisht, ai nuk është naiv dhe i papërvojë që të mos jetë i vëmendshëm në deklaratat e tij, e që do të thotë se ai me vullnet dhe bindje ka marr rolin e këtillë, për arsyet që i përmenda më lartë, por edhe për arsye që mund t’i dijë veç ai. Kosova nga ana e saj, nuk ka pse e merr shumë seriozisht këtë deklaratë përderisa ka një qëndrim të Zyrës së Mogherinit, por ajo që është shqetësues është fakti se kjo deklaratë ka dalë pas qëndrimit të Edi Ramës në Beograd. Nuk është se ka fakte që këtë deklaratë të z. Kukan e lidhin me këtë, por megjithatë mundësia që megjithatë të ketë ndërlidhje, është e paprëjashtueshme, jo vetëm në kuptimin hipotetik, por edhe në atë real. Duhet të kemi parasysh se z. Kukan ka pasur rol shumë të rëndësishëm në zhvillimet në shtetin shqiptar, sidomos në raportet e tij me PE-në dhe me BE-në. Edurad Kukan ka qenë vizitor i shpeshtë i Tiranës, dhe marr parasysh edhe ngecjen e procesit të statusit kandidat për BE,  duhet të shqyrtohet roli i tij në gjithë këtë, përkatësisht raportet e tij me opozitën e atëhershme socialiste. Ajo që po dua të them është se Eduard Kukan është një personalitet që ka pasur të bëjë shumë me shqiptarët, dhe në kontekst të incidentit diplomatik të Bratisllavës dhe deklaratës së tahme për Trepçën, mund të kihet parasysh edhe mundësia e keqpërdorimit të pozitës zyrtare për të përçuar qëndrime të këtilla kundërshqiptare. Një lidhje Edurad Kukan, Edi Rama mund të ketë ekzistuar edhe gjatë kohës kur ky i fundit ishte në opozitë, dhe kur Kukan ishte vizitor i shpeshtë i Tiranës. Në këtë kuptim, një interferim i politikave proserbe brenda PE-së, në raportet e socialistëve shqiptarë me Beogradin është plotësisht real dhe i mundshëm, aq më tepër që Edi Rama ka mbajtur qëndrime shumë destruktive, shantazhuese dhe kërcënuese ndaj BE-së. Prandaj, edhe mundësia që Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq të jenë marrë vesh në mënyrë diskrete për anagzhime që çështja e Trepçës të diksutohet në Bruksel, kurse Eduard Kukan të ketë bërë publik një qëndrim të tillë, edhe si qëndrim të politikave proserbe brenda PE-së, e që nuk janë të pakta, është plotësisht real. Aq më tepër, kur ka më shumë se një marrëveshje që Tirana dhe Beogradi kanë nënshkruar në dëm të Kosovës, dhe ka një marrëveshje të bërë publike gojore për furnizimin e nxënësve shqiptarë të Kosovës Lindore me tekste shkollore, duke e injoruar dhe anashkaluar Kosovën.