Ekstradohet nga Italia i dënuari me 22 vite burg për vrasje

05.05.2017 09:53:15

Ekstradohet nga Italia një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje. Arben Dodaj (Doda), 45 vjeç nga Mirdita u ekstradua pasditen e djeshme nga Milano drejt aeroportit të Rinasit, ku i’u dorëzua autoriteteve shqiptare.

Ai rezultonte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Mirditës, në tetor të vitit 2000 e ka dënuar me 22 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim , të kryer në bashkëpunim“ dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Doda akuzohet se më 17 gusht 1997 rreth orës 16.00 në fshatin Shtrezë të rrethit Mirditë, në bashkëpunim me një person tjetër, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin P.D.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, me pasaportë të falsifikuar duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.