Emërtimi i kësaj rruge me emrin e Beau Biden do forcojë marrëdhëniet ndërmjet popullit të Kosovës dhe të SHBA-ve.

17.08.2016 16:33:43

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e emërtimit të rrugës Ferizaj-Gjilan me emrin Joseph R. “Beau” Biden, III, djalit të Zëvendës Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden.

Ceremonia që u organizua në Sojevë të Ferizajt, në afërsi të kampit Bondsteel, u mbajt pas takimeve që Zëvendës Presidentit Biden zhvilloi në orët e mëngjesit me Kryeministrin Isa Mustafa dhe Presidentin Hashim Thaçi.

Kryeministri Mustafa, para të pranishmëve të shumtë ku ishin edhe familja e Zëvendës Presidentit Joe Biden, dhe shumë personalitete vendore e ndërkombëtare, shprehu bindjen se emërtimi i kësaj rruge me emrin e Beau Biden, do ta forcojë edhe më shumë lidhjen ndërmjet popullit të Kosovës dhe të SHBA-ve.

Duke vlerësuar lartë kontributin e Beau Biden dhënë pas luftës në vënien e themeleve të sistemit juridik në Kosovë, Kryeministri Mustafa, tha se ai meriton të jetë engjëlli mbrojtës i kosovarëve për shkak të historisë së jetës së tij.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri kryesor strategjik i Kosovës. Prandaj, edhe pagëzimin e kësaj rruge me emrin Beau Biden, ju lutemi ta shihni si një përpjekje të kosovarëve për të respektuar angazhimin e qindra, mijëra e miliona amerikanëve për çlirimin e Kosovës dhe për shtetndërtimin e saj. Partneriteti mes dy vendeve tona është natyral. Ne ndajmë vlera të përbashkëta. Prandaj, tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova sheh aleatin e vet të përhershëm, të cilin, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, e ka emërtuar mrekullisht si Miqësi të përhershme të dy vendeve që kanë të vendosura lidhje speciale”, tha kryeministri Mustafa.

Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa në ceremoni.

I nderuari Zëvendës president i SHBA-ve, Joe Biden

E nderuara doktor Jill Biden

Shumë e respektuara Familje Biden,

I nderuari President i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi

Të dashur kryetarë të Gjilanit dhe Ferizajt, z. Lutfi Haziri dhe Muharrem Svarqa

Të nderuar të pranishëm,

Jam i nderuar që Ju drejtohem nga kjo pjesë e rrugës Beau Biden, e cila lidhë dy qytete të mëdha të Kosovës, Ferizajn dhe Gjilanin.

Kjo rrugë, jam i bindur se do ta forcojë edhe lidhjet mes dy popujve dhe shteteve tona.

Beau Juaj i dashur, në këtë mënyrë bëhet i Kosovës, ku ai shërbeu me fisnikëri për të vënë themelet e një shteti të së drejtës.

Kjo rrugë përshkon Bondstill-in, ku kosovarët shohin garantin e mbrojtjes dhe të sigurisë së tyre dhe të rajonit të Ballkanit.

Beau Biden e meritoi të jetë Engjëlli Mbrojtës i kosovarëve.

Për shkak të historisë dhe jetës së tij.

Për shkak të gatishmërisë së tij për t’ia krijuar sistemin e drejtësisë një populli të sunduar padrejtësisht për shekuj të tërë.

Për shkak se karakteri i tij luftarak për jetën është simbiozë e përpjekjes për mbijetesë të kosovarëve.

Për shkak se emri i tij Beau dhe mbiemri i tij, Biden, mishërojnë kuptimin e mikut të çdo kosovari.

Doktor Biden, Faleminderit që keni nderuar popullin tim me ardhjen tuaj në Kosovë.

Ju jeni një shembull i shkëlqyer i ruajtjes së vlerave të familjes.

Populli im ka mbijetuar duke kultivuar këtë vlerë të shenjtë.

Miku im, Joe, më lejoni t’ju drejtohem në emër dhe më fal nëse trazoj ndjenjat tuaja.

Beau nuk mund të ishte ndryshe. Veçse një djalë i denjë i familjes së mrekullueshme Biden.

Populli i Kosovës dhe unë, admirojmë forcën dhe karakterin tuaj për t’u ngritur mbi dhimbjen.

Për të shikuar përtej saj, tek e ardhmja, për pasardhësit e Beau-t, Natali e Hunter. Për të ardhmen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të globit tonë.

I nderuar zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotëri Joe Biden.

Siç biseduam edhe në Prishtinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri kryesor strategjik i Kosovës.

Prandaj, edhe pagëzimin e kësaj rruge me emrin Beau Biden, ju lutemi ta shihni si një përpjekje të kosovarëve për të respektuar angazhimin e qindra, mijëra e miliona amerikanëve për çlirimin e Kosovës dhe për shtetndërtimin e saj.

Partneriteti mes dy vendeve tona është natyral. Ne ndajmë vlera të përbashkëta. Prandaj, tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova sheh aleatin e vet të përhershëm, të cilin, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, e ka emërtuar mrekullisht si Miqësi të përhershme të dy vendeve që kanë të vendosura lidhje speciale.

I nderuar zëvendëspresident Biden,

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpëtuar Kosovën.

Kanë mbështetur e po mbështesin rindërtimin dhe shtetndërtimin e saj.

Ne e ndjejmë se falënderimi ynë më i mirë për tërë këtë investim tuajin është ta bëjmë Kosovën një shtet të denjë për të qenë mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ne kemi shumë punë për ta arritur këtë objektiv.

Kemi edhe shumë pengesa gjatë rrugës.

Por, populli i Kosovës do t’u del ballë shtigjeve të gjata.

Ai do t’i kapërcejë pengesat dhe do ta bëjë Kosovën një vend të denjë për të jetuar secili qytetar i saj, pavarësisht përkatësisë etnike dhe pavarësisht besimit.

Populli i Kosovës i beson përkushtimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta mbështetur Kosovën.

Për zhvillimin e saj ekonomik.

Për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Për parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit.

Për sundimin e rendit dhe të ligjit.

Për forcimin e demokracisë së saj.

Për të qenë faktor i stabilitetit rajonal.

Për të krijuar raporte të mira me fqinjët.

Për të forcuar subjektivitetin e saj shtetëror.

Për të qenë e barabartë në familjen euro-atlantike.

Për të qenë një rrëfim i plotë i suksesit, të cilit i gëzohen të gjithë miqtë e saj.

Siç iu gëzuan triumfit të Majlinda Kelmendit në Olimpiadë.

Për ta bërë Kosovën një shtet që sillet me përgjegjësi të plotë ndaj qytetarëve të saj dhe ndaj interesave të tyre.

Një shtet që është i gatshëm të marrë dhe t’i zbatojë obligimet ndërkombëtare.

Doktor Jill, i nderuar zëvendëspresident Joe,

Rruga, emërimin e të cilës po e promovojmë sot, jam i bindur se do ta kthejë shpesh vëmendjen e familjes tuaj kah Kosova.

Sipas traditës tonë, shtëpia e kosovarit është shtëpi e mikut të tij.

Ju tashmë jeni miqtë e Kosovës.

Nuk keni nevojë për ftesë që të vini në Kosovë.

Sepse ju tashmë vini në shtëpinë tuaj.

Zoti e bekoftë miqësinë tonë të përhershme

Zoti e bekoftë familjen Biden

Zoti e bekoftë popullin amerikan dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj.