Ende nuk është zbardhur rasti i fëmijëve nga Kolovica (Video)

29.06.2017 20:25:01
Dy fëmijë të kësaj familjeje humbën jetën në një gropë të hapur në afërsi të shtëpisë së tyre. Familja ka paditur kompaninë, por edhe komunën, që lejoi hapjen e kësaj grope, por gjykata nuk ka bërë asnjë veprim në drejtim të zbardhjes së këtij rasti. As pas një viti, familja Mramori nuk është kontaktuar fare nga organet e rendit.

Ka kaluar një vit që kur dy fëmijë të familjes Mramori në Kolovicë humbën jetën tragjikisht në këtë pus të hapur nga një kompani private. Për këtë rast, babai i fëmijëve, Muhamet Mramori, kishte paditur Komunën e Prishtinës dhe pronarin e tokës ku punohej në atë kohë.

Mirëpo, deri tash nuk ka marrë as edhe një ftesë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

I zhgënjyer me organet e drejtësisë është edhe avokati i familjes Skënder Musa, sipas të cilit gjykata po e neglizhon rastin.

Madje avokati mbrojtës dyshon se as hetimet lidhur me vdekjen e dy fëmijëve nuk kanë filluar fare nga institucionet përgjegjëse, duke thënë se fillimisht është dashur të thirret pala e dëmtuar për ta sqaruar rastin, gjë që ende nuk ka ndodhur. RTK ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Gjykata Themelore e Prishtinës, por këta të fundit nuk i janë përgjigjur.

Ndërkohë, babai i dy fëmijëve të vdekur, tregon se ditët në këtë familjeje po kalojnë me vështirësi, marrë parasysh vajzën e tyre që mbeti e vetme, e cila nuk e kishte të lehtë ta kalonte pikëllimin e përjetuar para një viti, ku para syve të saj mbetën të vdekur motra dhe vëllai.

Pesha e kësaj tragjedie bëhet edhe më e rëndë kur familja përballet edhe me probleme ekonomike.

Familja ka pritur se do jetë përfituese e një banese, të cilat i ka ndarë komuna e Prishtinës, por kjo nuk ka ndodhur. Mirana Mullafazliu tha se banesat sociale u janë dhënë atyre familjeve që i kanë plotësuar kriteret e kërkuara.