Eurodeputeti McAllister: BE-ja nuk është e angazhuar në mënyrë aktive në debatin për korrigjim kufijsh

28.02.2019 14:25:00

Eurodeputeti gjerman David McAllister,  që vjen nga radhët e partisë së kancelares gjermane Angela Markel, ka folur për debatin që po zhvillohet kohëve të fundit sa i përket korrigjimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, si një zgjedhje të mundshme.

McAllister ka deklaruar se Bashkimi Evropian është në dijeni për debatin që po qarkullon sa i përket korrigjimit të territorit mes Kosovës dhe Serbisë, duke pranuar se BE-ja nuk është e kyçur në mënyrë aktive sa i përket kësaj çështje.

McAllister me disa eurodeputetë kanë vizituar Serbinë e do të qëndrojnë edhe në Kosovë, për shkak të vlerësimit të marrëdhënieve me Serbinë. Ai ka thënë se nuk beson se zgjedhjet në Parlamentin Evropian që do të mbahen në muajin maj, do të ndikojnë në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Sa i përket debatit që po qarkullon për shkëmbimin e mundshëm të territoreve, në si Parlament evropian me shumicë votash kemi miratuar qëndrimin e pozicionit dhe kemi formulime të njëjta si në raportim tim për Serbinë, ashtu edhe në raportin e kolegut tim Igor Sholtes (raportues për Kosovën) – që jemi njoftuar për këto diskutime, e për t’u arritur kjo marrëveshje, së pari duhet marrëveshje e dyanshme, e cila sjell stabilitet dhe qëndrueshmëri në rajon dhe duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.  Në këtë moment, në këtë debat BE-ja nuk është e përfshirë në mënyrë aktive, por jemi të informuar për këtë. Ndryshe jemi të fokusuar se si të rivazhdojë dialogu në Bruksel dhe për këtë u bëjmë thirrje autoriteteve në Kosovë ta rishikojnë vendimin për vënien e taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, ka deklaruar McAllister.