Partia Socialiste e Shqipërisë parashikohet të fitojë votimin parlamentar të së dielës, i cili do t’i japë partisë në pushtet mandatin për të nxitur reformat jetike për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Si socialistët e kryeministrit Edi Rama ashtu edhe Partia Demokratike e udhëhequr nga Lulzim Basha po kërkojnë një shumicë parlamentare pasi asnjëra parti nuk fitoi 70 vendet e nevojshme në zgjedhjet e 2013 apo ato të 2009-ës.
Sondazhi i kompanisë italiane “IPR Marketing” tregonte se e socialistët do të fitojnë me 45 ose dhe 49 për qind të votave, të cilat mund t’u sigurojnë më shumë se gjysmën e vendeve në parlament.
“Partia Socialiste mund të ketë fituar më shumë se 71 vende në parlamentin me 140 vende, por kjo nuk është ende zyrtare ” tha Antonio , përfaqësuesi i kompanisë.
Por çfarë reformash do të duhet të ndërmarrë partia në pushtet për të përmbushur kushtet për anëtarësimin në BE.
Pesë detyrat e Edi Ramës
1-Të drejtat e pronësisë
Ka shumë raste të pazgjidhura të pronësisë së tokës në shtetin ballkanik. Vetë Rama pranoi se çështja në fjalë ka qenë “një rrëmujë totale për vite të tëra” dhe se po del jashtë kontrollit. Falsifikimi ka qenë tejet i shfrenuar pas përfundimit të epokës komuniste. Qeveria socialiste ka krijuar një fond kompensimi prej 500 milionë euro si një mënyrë për të zgjidhur sadopak situatën
2-Gjyqësori
Heqja e gjyqtarëve të korruptuar është një çështje tjetër që socialistët kanë premtuar ta zgjidhin. Javën e kaluar Parlamenti miratoi një ligj të ri që përcakton se gjyqtarët, prokurorët dhe asistentët ligjorë të verifikohen. Më shumë se 300 anëtarë të gjyqësorit janë akuzuar për korrupsion.
“Ata do të duhet të justifikojnë burimet e tyre të të ardhurave dhe të provojnë se nuk kanë lidhje me krimin e organizuar – tha Rama – Ata gjithashtu do të testohen për kompetencë.”
3-Droga
Shqipëria nuk ka arritur të shtypë kultivimin e kanabisit, e cili lidhet ndjeshëm me krimin e organizuar.
Kur vjen puna tek trafikimi i kanabisit në BE, Maroku është ai që kryeson rrugën. Por Shqipëria është padyshim furnizuesi kryesor i kanabisit bimor në bllokun 28-vendesh, sipas Europolit. Dhe Rama ka bërë shumë pak për t’i dhënë fund kësaj situate, pavarësisht premtimin për “çrrënjosjen e fenomenit njëherë e përgjithmonë”.
4-Emigracioni
Sipas Instatit, paga mujore bruto në vitin 2016 ishte vetëm 46 mijë lekë (ereth 340 euro) Mjafton ta krahasojmë me Kroacinë (1060 euro), Greqinë (1070 euro) dhe Italinë (2033 euro) për ta kuptuat pse të rinjtë po largohen nga vendi.
5-Papunësia
Vetëm një e katërta e të rinjve shqiptarë janë të punësuar. Ndërkohë që në Gjermani vetëm 7 për qind e të rinjve të moshës 15 deri në 29 vjeç janë të papunë, në Shqipëri kjo shifër arrin në 28.9 për qind. Përtej bllokut të BE-së shifra mesatare për papunësinë e të rinjve është 17.2 për qind.