Fatmir Xhelili: PDK është një strukture organizative, e cila ka kryesi dhe Këshill Drejtues dhe nuk shkohet në zgjedhje pse thotë një individ

16.11.2016 20:12:51

Pas dy vjetësh në bashkëqeverisje, zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk po i kursejnë kritikat në drejtim të Qeverisë Mustafa. Zyrtarë të lartë të kësaj partie e cilësojnë këtë qeveri si të dobët.

Deputeti i kësaj partie, Fatmir Xhelili, e vlerëson si të dobët Qeverinë Mustafa, megjithatë ai për dallim nga disa kolegë të tij që po kërkojnë zgjedhje, thotë se gjërat duhet analizuar mirë, para se të merret një vendim përfundimtar për sa i përket zgjedhjeve të parakohshme.

“Nuk duhet të ngutemi më dhënë konstatime të shpejta. Është pikëpyetje e madhe se a janë zgjedhjet opsion. Çka, nëse rezultati del përafërsisht i njëjtë edhe çka nëse shkojmë edhe në një krizë siç ka qenë VLAN-i. Ne edhe ashtu e kemi qeverinë të dobët. Por, ajo po funksionon, mund të mbetemi edhe pa qeveri fare”, ka thënë Xhelili.

Sa i përket mosdhënies epilog çështjeve si demarkacioni, FAK-u dhe Asociacioni, Xhelili thotë se këtë e ka pamundësuar edhe opozita në Kosovë. Duke shtuar se duhet me i pas parasysh edhe relacionet me Bashkimin Evropian dhe partnerët ndërkombëtar strategjik para se me marr ndonjë vendim.

Duke i komentuar kërkesat e zyrtarëve të PDK-së për të shkuar në zgjedhje, ai thotë se ata nuk e kanë kompetencën për të flur në emër të partisë dhe janë cështjeve e dëshirave individuale të njerëzve.

“PDK është një strukture organizative, e cila ka kryesi dhe Këshill Drejtues dhe nuk shkohet në zgjedhje pse thotë një individ. Partia nuk ka qëndrim me shku në zgjedhje. Qëndrimi i partisë është më vazhdu koalicionin. Nëse ndryshon qëndrimi i partisë janë institucionet e partisë ato që vendosin”, ka shtuar Xhelili.

Duke folur për buxhetin e vitit 2017, deputeti i PDK-së thotë qeveria po don që kreditë e marra të prezantohen si të hyra buxhetore, gjë e cila sipas tij nuk qëndron. Buxheti, ai thotë se, është 1 miliardë e 700 milion dhe po prezantohet si dy miliardë.