Fier, Kryemadhi: Jemi peng i një kryeministri të çmendur

05.01.2019 15:29:21

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi zhvilloi një takim me komitetin drejtues të LRI-së në Fier, ku komentoi edhe qeverinë e re. Në fjalën e mbajtur Kryemadhi u ndal edhe te protesta studentore, për të cilat tha se kjo protestë nuk është partiake, por është protestë politike.

“Duhet të protestojmë për 8 kërkesat e studentëve sepse qeveria ose ministrat që ikën, dolën dhe folën për koncesionet që kanë firmosur ditën që i ka shkarkuar Edi Rama, por asnjëri nuk foli për 8 kërkesat e studentëve. 8 kërkesat e studentëve janë shumë të thjeshta, vetëm me 31 Dhjetor, Damian Gjiknuri ka dhënë 58 milion euro koncesion për TEC-in e Vlorës dhe nuk i kushtonte asnjë gjë Edi Ramës mos t’i jepte këto për TEC-in e Vlorës për koncesione.

Por le t’ia jepte studentëve dhe u mbyllte kërkesa e parë, ajo që është përgjysmimi i tarifave të studentëve. Nuk kanë nevojë që të bëjë fashat Edi Rama që të vlerësojë kush është student i ekselencës apo kush është ngelësi, kush është kaluesi, kush është i bukuri, kush është i shëmtuari”, tha ajo.

Më tej Kryemadhi shtoi: “Nëse në jemi peng i një kryeministri të çmendur, kjo nuk do të thotë që të lëmë të gjithë institucionet e shtetit shqiptar, gjithë të ardhmen e Shqipërisë në dorën e një të çmenduri, do ta rrëzojmë me qetësi, pa qetësi, me dashuri, pa dashuri, me angazhim, me protesta, pa protesta, por në dorë të këtij njeriu të çmendur nuk do ta lëmë vendin. Por, në krye të kësaj lëvizjeje duhet ta kuptoni që është rinia, rinia ka bërë ndryshimet në Shqipëri”.