Flet Kurteshi, pajtimi në Lëvizjen Vetëvendosje i mundshëm!

19.01.2018 12:25:51

Ismajl Kurteshi, sekretar organizativ i lëvizjes “Vetëvendosje”, njëherësh deputet i kësaj partie (nga radha e grupit të rreshtuar kah Albin Kurti), është shprehur optimist se mospajtimet e fundit brenda partisë nuk do të rezultojnë me ndarje, shkruan sot Gazeta Zëri.

“Unë e di që përpjekjet po vazhdojnë dhe derisa të ketë përpjekje për të arritur pajtim unë jam optimist që pajtimi është i mundshëm. S’po them që pajtimi do të ndodhë patjetër, por është i mundshëm”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas Kurteshit, përplasjet e fundit brenda “Vetëvendosjes” nuk e pengojnë procesin e brendshëm zgjedhor, i cili do të zhvillohet këtë të diel. “Këto mospajtime nuk i pengojnë zgjedhjet e brendshme, sepse ato janë në përputhje të plotë me statutin, në këtë pikë të gjithë pajtohemi. Janë me demokraci të drejtpërdrejtë, të gjithë anëtarët do të ftohen, do të krijohen kushte, secili ka të drejtë të votojë pro, kundër ose të abstenojë”, ka thënë ai.

E pasi të numërohen votat, siç ai është shprehur, po që se 51% e votuesve kanë votuar për, atëherë konfirmohet zgjedhja e kryetarit. Nëse nuk ndodh një gjë e tillë, sipas Kurteshit, atëherë përsëritet procedura.

Publikimi i rezultatit të zgjedhjeve mund të marrë kohë një javë

Ndërkohë, ka thënë se për zgjedhjen e kryetarit të ri të LVV-së do të mund të votojnë të gjithë anëtarët, edhe ata që kanë dhënë dorëheqje nga pozitat drejtuese të partisë, shkruan sot Gazeta Zëri.

Kurse i pyetur se kur do të publikohen rezultatet për zgjedhjen e kryetarit të ri, Kurteshi ka thënë se nuk ka informacione të sakta, porse sipas tij kjo mund të shkojë deri në një javë pas të dielës. “Për këtë duhet të bisedoni me Komisionin Zgjedhor, ata i kanë disa procedura që unë kurrë nuk i mbaj mend përmendësh, por e di që është një kohë për ankesa, nëse ka ankesa është koha për shqyrtimin e tyre dhe në fund dalin rezultatet përfundimtare. Sa ditë duhen për krejt këto nuk e di. Mund të jenë 4-5 ditë ose një javë”, është shprehur Kurteshi.