Fushata primitive kundër Qeverisë dhe kryeministrit Mustafa edhe me sponzorizimin e Serbisë

30.01.2017 16:09:09

Nga Rexhep Kastrati

Kur Baton Haxhiu u pat shprehur i shqetësuar se nëse zgjedhjet në Kosovë nuk mbahen deri në mars 2017, ka rrezik që ato t’i fitojë LDK, do të duhej të ishte e qartë për të gjithë se sa ia kanë frikën rritës së kësaj partie me kalimin e kohës. Dhe kjo rritje bazën e ka te modeli qeverisës që ka shpërfaqur gjatë vitit 2015 dhe 2016,  e që është model i një qeverisjeje që ka logjikën dhe praktikën e një qeverisje më të avancuar si në aspektin e mënyrës së realizimit, ashtu edhe në rezultatet e saj. Edhe pse e ballafaquar që nga fillimi me obstruksione të brendshme, si dhe me angazhime tribale, anarksite dhe të dhunshme, qeverisja aktuale ka arritur të shpërfaqet si qeversja më e suksesshme e Kosovës. Po ashtu, edhe partneriteti i suksesshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë që nuk ia kanë kursyer mbështetjen e tyre, ka qenë i plotë dhe në të mirë të forcimit të këtij partneriteti. Një model qeversisës i suksesshëm dhe një partneritet i fuqishëm me partnerët tanë stragjikë, ishin dhe janë garanci se përfundimi i mandatit të kësaj Qeverie në kohën e saj të plotë, do të kishte reflektime edhe në zhvillimin ekonomik, në forcimin e shtetit ligjor dhe në përmbylljen e disa reformave që tashmë kanë filluar. Edhe buxheti mbi dy miliardë euro është një nga rezultatet e këtij modeli qeverisës që po udhëhiqet nga LDK, përkatësisht nga kryeministri Mustafa, e që kishte bërë që partneri i koaliciont – PDK, të shprehte hapur frikën se do të ndikojë pozitivisht në rritën e LDK-së, dhe në kërcënimin me mosvotim të tij nga ana e kuvendarëve të PDK-së. Pra, frika se nëse zgjedhjet nuk mbahen deri në mars të vitit 2017, ka rrezik që ato më vonë t’i fitojë LDK, është frikë nga rritja e saj si rezultat i modelit qeverisës dhe të rezultateteve të saj.

Në këtë kuptim, ndërlidhja e gjithë këtij procesi me kohën e fillimit të arrestimeve të para për llogari të Gjykatës speciale, më shumë bëhet për të fshehur arsyet reale, e që lidhen me modelin qeverisës dhe me rezultatet e kësaj qeverisjeje. Është kështu për faktin se edhe sikur të mos ishte fare Gjykata speciale, PDK do t’i kishte të vogla gjasat për të fituar pas katër vitesh të një modeli tjetër qeverisës nga ai që Kosova ka pasur gjatë dy mandateve të kaluara, por edhe për shkak se vetë evoluimi i shoqërisë do të ishte i tillë që nuk do të pranonte më prontopolitikën, haraçpolitikën dhe molotovpolitikën. Pra, frika reale është më shumë nga modeli qeverisës dhe nga rezultatet e tij, sesa nga efektet e Gjykatës speciale.

Po pse i bëhet jehonë efekteve të Gjykatës speciale, dhe pse ndërlidhet fitorja eventuale e LDK-së me këto efekte?

Përgjigjia në këtë pyetje është shumë e thjeshtë dhe shumë e qartë: me anë të jehonës për efektetet e Gjykatës speciale, është më lehtë të manipulohet opinioni, pasi që luhet me kartën e patriotizmit, më lehtë mabhet i bashkuar trupi elektoral i partive që do të peken më shumë nga kjo Gjykatë, si dhe më lehtë mund të manipulohen veglat kondomë brenda e rreth LDK-së. Është mëse e qartë se gjatë tërë vitit të kaluar, por edhe gjatë kësaj kohe i është mëshuar fort tezës se akuzat që do të ngrejë Prokuroria speciale për llogari të Gjykatës speciale e njollosin luftën e UÇK-së, dhe së këndejmi është e dëmshme për Kosovën. Mbi këtë bazë janë mobilizuar grupe të ndryshme shoqërore për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj kësaj Gjykate. Po ashtu, është bërë një lojë politiko-diplomatike që partive të caktuara t’ua mveshte rolin e viktimës së Gjykatës speciale, dhe te trupi elektroal i tyre është krijuar ajo ndjenja se bota po do që t’i përçajë dhe t’i dobësojë, si mënyrë për të ruajtur ato nga efektet e Gjykatës speciale. Në anën tjetër, janë mobilizuar edhe individë të ndryshëm, që unë i kam quajtur vegla kondomë brenda e rreth LDK-së, të përdorin si bori të tyre disa mjeranë që veten e quajnë gazetarë, apo analistë, apo publicistë që të vjellin helm kundër Qeverisë që drejtohet nga LDK, përkatësisht nga kryeministri Mustafa. Dhe janë këta individë që kanë shitur shpirtin te strukturat mafiozo-politike qoftë për shkak se janë të shantazhueshëm, qoftë për shkak të pazareve të dryshme, qoftë edhe për shkak se mund të kenë frikë se mund të jenë edhe ata ndër të akuzuarit nga Prokuroria speciale për llogari të Gjykatës speciale. Këto vegla kondomë brenda e rreth LDK-së, janë duke zhvilluar një fushatë shpifjesh, fyerjesh dhe përbaltjesh më primitive sesa që dikur bëhej kundër presidentit Rugova dhe LDK-së. Nëpërmjet kësaj fushate primitive, ala shikiste dhe përbaltëse, këta mjeranë, këto vegla kondomë brenda e rreth LDK-së, kanë synuar dhe po synojnë të realizojnë qëllimet e kundërshtarëve të LDK-së: përbaltjen e Qeverisë dhe të kryeministrit Mustafa, përbaltjen e LDK-së, dobësimin e saj, dhe në fund rrëzimin e Qeverisë dhe përçarjen e sërishme të LDK-së që të mos mund t’i fitojë zgjedhjet më 2018.

Krejt në fund duhet thënë se dora e Serbisë dhe e aleatëve të saj në angazhimet kundër Qeverisë dhe kryeministrit Mustafa, tashmë është e dukshme dhe është e shtrirë gjithandej në spektrin politik, medietik dhe shoqëror në Kosovë, prandaj, edhe fushatat primitive nga të gjitha anët ndaj Qeverisë dhe kryeministrit Mustafa kanë sponzorizim edhe nga Beogradi dhe qendra tjera aleate të saj.