Futbollisti i njohur del nga fusha, sherr me tifozët e tij për të mbrojtur vëllain

05.03.2020 11:46:43

Eleminimi i Tottenham nga Norwich në Kupën e Anglisë u shoqërua me një ngjarje aspak të zakontë në një stadium futbolli.

Eric Dier, mesfushori i skuadrës së drejtuar nga Jose Mourinho, u fut mes tifozëve për të sqaruar gjërat me një tifoz të Tottenham, i cili e kishte ofenduar gjatë ndeshjes, dhe po zihej më pas me vëllain e vogël të futbollistit, i cili kishte ndërhyrë për ta mbrojtur.

Në një nga pamjet e kapura nga kamera shihet Dier duke bërtitur: “Ai është vëllai im”. Planet e tjera tregojnë punonjësit që largojnë mesfushorin nga shkallët e stadiumit.

Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, Mourinho tha: “Dier bëri diçka që nuk duhet bërë nga lojtarët profesionistë, por mendoj se në atë situatë kushdo do të vepronte njësoj. Po e ofendonin dhe vëllai i tij i vogël ishte aty. E kuptoj reagimin e tij dhe e mbështes”.