Futsal, Kosova fiton edhe ndaj Qipros

31.01.2017 21:21:14

Përfaqësuesja e Kosovës në futsall ka vazhduar me lojëra të mira në parakualifkimet për Evropiani në 2018. Djelmoshat kanë fituar 3:1 ndaj Qipros vendase, duke bërë një paraqitje të shkëlqyeshme. Ishin qipriotët ata të cilët kaluan në epërsi të parët në minutën e 10 me Koloumbris, mirëpo kosovarët reaguan shpejtë duke shënuar dy gola ekspres. Së pari barazoi rezultatin në 1:1 Fadil Goli, ndërsa vetëm 2 minuta më vonë Nexhip Selimi i dha epërsinë Kosovës për ta mbyllur pjesën e parë në favor 2:1.

Kosova edhe në pjesën e dytë zhvilloi lojë të qëndrueshme duke administruar rezultatin, kjo dhe falë pritjeve fantastike të portierit Alfred Preniqi. Ndërkohë, goditjen përfundimtare Qipros ia dha në minutën e 26, me golin e shënuar nga Malush Qerimi për rezultatin përfundimtar 3:1. Kjo ishte fitorja e dytë e Kosovës në këto eliminatore pas asaj ndaj Norvegjisë 5:1, ndërsa mban pozitën e parë në tabelë me 6 pikë, kur ka mbetur edhe një ndeshje për ta zhvilluar atë ndaj Danimarkës.