Gjykata Kushtetuese në Kosovë vendosi, zbardhet përmbajtja për dekretin e presidentit Thaçi për mandatarin për qeverinë e re

28.05.2020 22:00:38

Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendimin se dekreti i presidentit Hashim Thaçi, për të mandatuar Avdullah Hotin për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën dhe se mocioni i mosbesimit ndaj një qeverie në Kuvend nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit.

Në vendim e Gjykatës Kushtetuese thuhet :

“Gjykata, vendosi: (i) njëzëri që kërkesa e parashtrueseve të kërkesës është e pranueshme; (ii) njëzëri që Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës; (iii) me shumicë që Dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës; (iv) njëzëri që të shfuqizohet masa e përkohshme e përcaktuar përmes Vendimit të 1 majit 2020; dhe (v) njëzëri që të refuzohet kërkesa për seancën dëgjimore”, thuhet në vendim.

Ky vendim i Kushtetueses vjen pasi më 30 prill, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mandatoi Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për postin e kryeministrit të Kosovës.

Thaçi tha se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë e saj kushtetuese për propozimin e mandatarit, kështu që këtë të drejtë ia kaloi LDK-së, partisë së dytë të dalë në zgjedhjet e tetorit.

Po të njëjtën ditë, Lëvizja Vetëvendosje iu drejtua Kushtetueses duke kërkuar nga ky institucion vlerësim mbi kushtetutshmërinë e dekretit të Thaçit për Hotin.

Më 1 maj, Gjykata Kushtetuese pezulloi përkohësisht zbatimin e dekretit të Thaçit për qeverinë e re deri më 29 maj.

Pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti, partnerja e koalicionit, LDK-ja, nisi bisedimet për krijimin e një koalicioni të ri qeverisës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe dhe partitë e tjera të komuniteteve joshumicë.

LDK-ja madje ka përpiluar programin qeverisës dhe e ka bërë publik atë para Grupit të saj Parlamentar, para se Gjykata Kushtetuese të vendoste rreth çështjes së formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti insiston në mbajtjen e zgjedhjeve pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit dhe LDK-ja shprehet se vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje, por të qeveriste nga një ekzekutiv i ri, me fuqi të plota kushtetuese.

Tashmë me këtë vendim Avdullah Hoti i LDK së bashku me AAK dhe Nismën mund të formojnë qeverinë e re të Kosovës dhe vendi nuk shkon në zgjedhje të reja.