Gruevski në takim me ambasadorin bullgar, diskutojnë për marrëveshjen për fqinjësi të mirë

26.07.2017 19:53:33

“Republika e Maqedonisë ka interes për zhvillimin dhe thellimin e marrëdhënieve me Bullgarinë, pasi është interes për progresin tonë dhe integrimet euroatlantike”. Kështu deklaroi kryetari i OBRM-PDUKM-së, Nikolla Gruevski, gjatë takimit me ambasadorin e Bullgarisë në Maqedoni, Ivan Velikov Petkov.
Ambasadori bullgar Petkov, theksoi se me nënshkrimin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë po përmbyllet një çështje e rëndësishme, ndërsa Maqedonia bëhet edhe me një partnerë dhe mbështetës në hapat e saj drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, njofton Telegrafi Maqedoni.

Siç njoftojnë nga partia, Gruevski pozitivisht ka vlerësuar vullnetin e Bullgarisë që të ndihmojë në realizimin e qëllimeve të Maqedonisë. Gruevski në takim ka thënë se OBRM-PDUKM-ja në vazhdimësi ka punuar për përafrimin e qëndrimeve të dy vendeve.

“OBRM-PDUKM-ja si parti ka dhënë disa propozime konstruktive, të cilat nëse vendosen në versionin final, do të ndihmojnë dhe përmirësojnë marrëveshjen dhe do të ishin tregues i qartë i sinqeritetit të dy palëve për përmirësimin e marrëdhënieve”, ka thënë Gruevski.

Ai në fund ka shtuar se pasi partia e tij ta analizojë versionin e fundit të marrëveshjes në komisionet e partisë, do të merr qëndrim rreth marrëveshjes.