Grupi parlamentar i LDK reagon ndaj “gjuhës denigruese” të Visar Ymerit

10.08.2016 17:20:21

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), reagon ndaj gjuhës denigruese të përdorur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ndaj kryetarit të LDK-së, njëherit kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe ndaj dy bartësve tjerë të institucioneve kryesore të Republikës së Kosovës, Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Përmes një kumtese, Grupi Parlamentar i LDK-së, shpreh keqardhje për këtë degradim të skajshëm të fjalorit të një udhëheqësi të një subjekti politik parlamentar në Kosovë.

“Grupi Parlamentar i LDK-së konsideron se sinkronizimi i këtij fjalori të ulët me thirrjet për linçime, veprime antiligjore, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe sulmet ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit e familjeve të tyre, kanë për qëllim të shkaktojnë tensione për përfitime të pastra politike të një grupi, që nuk përfaqëson interesat dhe as vullnetin e qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës”.

“As gjuha e ulët, as linçimet, as kërcënimet dhe as sulmet qyqare, nuk do të mund ta ndalin përkushtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’u shërbyer qytetarëve, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, siguron qytetarët e Republikës së Kosovës dhe miqtë e saj euro-atlantik, se vendimarrja e LDK-së, si gjithherë, do të jetë në shërbim të interesave të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”.

“Grupi Parlamentar i LDK-së i bën thirrje opozitës të heqë dorë nga metoda të tilla dhe t’i kthehet angazhimeve të saj, në përputhje me mandatin që kanë, në respekt të Kushtetutës, standardeve demokratike dhe vlerave tradicionale të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në reagim.