Hapet sot me ngërç Parlamenti i Maqedonisë së Veriut: Skenarët e rinj për qeverinë

04.08.2020 19:36:18

Sot konstituohet parlamenti i ri i Maqedonisë së Veriut i dalë nga zgjedhjet e 15 korrikut. Por që në mbledhjen e parë paraqiten vështirësi dhe enigma, që kanë ccuar në thurjen e disa skenareve, që po thirren nga qarqe të ndryshme politike dhe mediatike në Shkup.

Kështu në seancën e sotme të nisjes së punës së Kuvendit të ri, ngërçi i parë nis për zgjedhjet e kreut të Kuvendit, pasi ende nuk ka një marrëveshje paraprake mes partive. Partia me më shumë deputetë, apo subjekti politik LSDM me koalicionin e saj ka 46 deputetë, po për të zgjedhur kryeparlamentarin i duhen 61.

Mungesa e një marrëveshje me BDI-në, si parti e parë e shqiptarëve, me të cilën është përplasur në fushatë, e ka çuar LSDM-në drejt një rruge me tunel që ende nuk e di ku është drita. Burime nga BDI thonë që ka pasur konsultime me grupin e LSDM-së për të siguruar një konstituim sa më normal të Kuvendit, por ende një negociatë për kryetarin e ri, pasi kjo duhet të përfshijë bisedimet për qeverisjen.

BDI kërkon kryeministër shqiptar, ndërkohë që LSDM ka bërë të ditur se nuk do të përulet para shantazhit të partisë më të madhe shqiptare.

Në këtë situatë, një nga mediat maqedonase, “Dnevni Novosti” shkruan se ka një plan ndërkombëtar për të krijuar një qeveri ekspertësh deri në vitin e ardhshëm, kur mund të zhvillohen së bashku me zgjedhjet vendore, edhe ata të përkohshme parlamentare.

Kjo gazetë bën të ditur se mund të ketë një qeveri të koalicionit të madh, e si burim thirret nga ndërkombëtarë por pa cituar një subjekt të identifikuar.

Nga ana tjetër, duhet thënë se Presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski, ka bërë të ditur se nuk do të japë një mandat për kryeministër, pa patur sigurinë e formimit të një mazhorance parlamentare.

Që do të thotë, se pas konsultimit me partitë e përfaqësuara në Kuvend, Pendarovski, ka bërë të ditur se do t’i japë mandatin atij lideri që i sjell firmat e të paktën 61 deputetëve, pra atij që ka arritur një marrëveshje koalicioni më parë.

Nga opinion publik dhe shoqëria civile shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ka një presion që të mos ketë thjeshtë një koalicion të BDI-së me LSDM-në, apo të Aleancës me Zaevin, por së pari duhet të krijohet një koalicion i shqiptarëve, që me 32 deputetët gjithsej të bëjnë presion tek aleatët maqedonas që të arrijnë të plotësojnë objektivat e tyre.