Haradinaj i përgjigjet Beogradit për ndarjen e Kosovës: Prekja në kufi sjellë tragjedi (Video)

08.02.2018 21:15:58
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka përjashtuar opsionin e ndarjes së Kosovës, pas deklarimeve të zyrtarëve serbë.

Haradinaj në një intervistë për “Zërin e Amerikës ” tha se një gjë të tillë e ka quajtur strategji të Beogradit për të nxjerrë ndonjë gjë tjetër.

“Është një blof i Beogradit, e lëshojnë këtë për të nxjerrë diçka tjetër. Nuk besoj që kjo është serioze dhe nuk i merr kush seriozisht. Në Ballkan kufijtë janë vendosur si rezultat i luftërave dhe prekja në kufij mund të sjellë luftëra e tragjedi të reja. Është një presion i parë për të nxjerrë diçka tjetër, çka e vetmja gjë është falja por jo harrimi”, ka thënë Haradinaj.

“Kosova është e gatshme që të kalojë në etapë tjetër duke u njohur reciprokisht”, shtoi ai.

Ai ka thënë se iniciativa e deputetëve të Kosovës për Gjykatën Speciale nuk mund të sjellë ndryshime, kurse për Demarkacionin me Malin e Zi është shprehur me shpresë se mund të korrigjohen, siç i ka quajtur ai, gabimet që janë bërë në nisje të procesit.

Haradinaj gjithashtu u takua me drejtuesit e tij, drejtorin ekzekutiv të Bordit të Guvernatorëve, John Lansing dhe drejtorin e Divizionit të Euro Azisë së VOA-s, Elez Biberaj.

Kryeministri Haradinaj e vlerësoi lart punën e mediave ndërkombëtare në pasqyrimin e të vërtetës në botë dhe në ndërtimin e standardeve profesionale duke i dhënë fuqi zgjimit demokratik sidomos në Europën Juglindore.

Ai tha se “Zëri i Amerikës” ka qenë një dritare e informimit për Kosovën në të kaluarën, posaçërisht në periudhën e luftës dhe ai sot luan një rol të rëndësishëm në proceset demokratike të Kosovës si dhe në ndërtimin e një shoqërie të zhvilluar dhe tolerante.

Haradinaj tha se mediat ndërkombëtare njëkohësisht luajnë një rol të madh dhe ndihmojnë edhe mediat lokale në krijimin e një mjedisi profesional dhe të pavarur.

Drejtori ekzekutiv i Bordit te Guvernatorëve, John Lansing, e mirëpriti kryeministrin Haradinaj dhe e vleresoi lart bashkëpunimin dhe mbështetjen që i jep medias. Ai foli edhe për ndikimin e VOA-s në botë por edhe në Kosovë.