Haradinaj i reagon Qeverisë: Po doni ta fshihni dështimin për votat e demarkacionit

11.09.2016 21:11:00

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka reaguar ndaj Qeverisë, e cila sot tha se Haradinaj me faktet e paraqitura vetëm sa ka konfirmuar se Bjelluha e Çakorri kanë qenë e janë në Mal të Zi.

Haradinaj ka deklaruar se asnjëherë ai nuk ka thënë se nuk do bisedime për siç e ka quajtur demarkacionin “problem i ndjeshëm”.

Haradinaj është shprehur se Qeveria pasi ka gjetur kohë të merret me një deklaratë të tij të cilës ia kishte bashkangjitur disa materiale, atëherë ajo po mundohet ta fshehë dështimin e saj në mbledhjen e votive për demarkacionin.

Të nderuar miq,Qeveria e Kosovës paska gjetur kohë të merret me një deklaratë timen së cilës i kam bashkangjitur materiale nga pikëshikimi malazez për pikën kufitare të Kosovës me Malin e Zi. Aty kam thënë shkurt e shqip që s’e flas as s’e lexoj serbishten- nga e cila jemi LIRUAR njëherë e përgjithmonë si obligim dhe masë ndëshkimi e robërie. Por edhe materiali në fjalë mund të shërbejë si pikë për bisedime. Kurrë s’kemi thënë që s’jemi për diskutim, për biseda, për gjetje të harmonisë gjithëkombëtare për këtë problem kaq të ndjeshëm.

Por zelli me të cilin Qeveria provon ta sheh veten të vërtetuar tregon shpirtëngushtësinë dhe para së gjithash dështimin e saj në bërjen e votave për këtë projekt të saj i cili tashmë ka dështuar.Pasi ta ketë pranuar këtë fakt Qeveria do të bënte mirë të bëjë edhe një komunikatë: atë te marrveshjes se Presidentes me Qeverinë e Malit të Zi per hapjen e pikës kufitare ne Qakorr.

Pa asnjë dilemë e them se ka pasur dhe ka konsensus për ta kundërshtuar këtë formë të marrëveshjes që Kosovën e dëmton me mbi 8 mijë hektarë tokë.