HARADINAJ: KOSOVA E INTERESUAR T’I ZBARDHË DYSHIMET E SË KALUARËS

18.01.2018 15:19:07

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke komentuar deklaratat e ambasadorit amerikan, Greg Delawie se disa individë që kanë luftuar për kauzën e drejtë të lirisë, kanë kryer krime të rënda kundër të tjerëve, ka thënë se edhe Kosova interesohet për t’i zbardhur dyshimet për të kaluarën.

Dje ambasadori Delawie ka thënë se realiteti është se disa individë që kanë luftuar për kauzën e drejtë të lirisë së Kosovës, kanë kryer krime të rënda kundër të tjerëve për të cilat duhet të japin llogari, duke shtuar se pikërisht për këtë gjë është Gjykata Speciale.

Delawie madje tha se deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë asaj, përkundër mohimeve të tyre, do t’iu nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra nëse kjo nismë ka sukses.

Kurse, sot për këtë deklaratë është pyetur Haradinaj, i cili tha se Kosova çdoherë do të jetë e gatshme me e dalë e vërteta për luftën e lavdishme për liri të UÇK-së.

“Është edhe interesim i Kosovës me zbardh çdo dyshim për të kaluarën, deri tani e kemi bërë me nderin më të madh në gjitha instancat, pra Kosova çdoherë do të jetë e gatshme për t’u zbardhur e vërteta për luftën e lavdishme për liri të UÇK-së”, tha Hardinaj.

“Kosova veç ka identifikuar, qeveria e re, delegacioni i ri gjendjen lidhur me marrëveshjet e arritura, shumica e këtyre marrëveshjeve janë interes i qytetarëve të vendit siç është situata me marrëveshjen me energjinë e cila nuk po zbatohet por ka edhe marrëveshje tjera dhe nuk shkojmë në dialog për t’i zgjatur jetën dialogu, e mendojmë këtë si fazën finale para dialogut final që ka të bëj me njohjen e Kosovës dhe delegacioni i Kosovës ka kërkuar nga institucionet e BE-së që të kalojmë në fazën finale, pra të marrjes së njohjes së Kosovës”, tha ai.

Përndryshe, takimi i së martës në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë, është anuluar nga këta të fundit për shkak të vrasjes së liderit të iniciativës qytetare, “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, Oliver Ivanoviq në veri të Mitrovicës.