Haradinaj pas ftesës së Gjykatës Speciale: Do t’i përgjigjem shpifësve

19.07.2019 20:10:33

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka njoftuar partinë e tij për dorëheqjen nga pozita  si kryeministër i Kosovës.

“I njoftova kolegët e Aleancës, partinë që e udhëheqi për dorëheqjen, për arsyet dhe për atë çka na pret sipas meje, pra motivin e dini, jam i ftuar si i dyshuar në Gjykatën e re tash që është formuar për intervistim. Kjo do të ishte shumë e rëndë me shku si kryetar i Qeverisë, pra do të ishte një poshtërim edhe i Kosovës, edhe i nderit të kryetarit të Qeverisë me u paraqitë para hetuesve. Shkoj si qytetar, pra si kryeministër në dorëheqje. Kuptohet unë kam qenë dy herë në gjykata ndërkombëtare, pafajësinë time e çmoj e respektoj nderim tim personal, do t’i përgjigjem këtyre shpifësve, nderin e luftëtarit shqiptar. Ata që nuk besojnë që luftëtari shqiptar e ka nderin, iu siguroj që e ka, ka me e pas gjithë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se qëndrimet e tij politike janë të qarta, dhe se Kosova nuk e përballon dot ndarjen në mënyrë që të fitojë njohjen.

Ai ka theksuar edhe një herë se Kosova është e gatshme për dialog.

Haradinaj ka thënë se ditën e hënë do t’i njoftojë të gjitha institucionet për dorëheqjen e tij, po ashtu ai ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të udhëtojë për në Gjykatën Speciale.