Haradinaj përsërit se marrëveshja me Serbinë duhet të bëhet brenda kufijve ekzistues (Video)

18.04.2019 13:35:39

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se para Samitit të Berlinit, ai po e sheh një energji nga ana e Serbisë, sa i përket arritjes së një marrëveshje, transmeton Telegrafi.

Para mediave, ai tha se marrëveshja me Serbinë duhet të bëhet brenda kufijve ekzistues.

“Po hetohet një ecje në qëndrime, në deklarime, por nuk është diçka si finale,  mendoj se është një energji para Samitit të Berlinit.Ajo se çfarë unë mendoj, është se duhet të arrihet një kompromis me Serbinë, një marrëveshje në kufijtë ekzistues. Është një lloj pajtimi, njohja e ndërsjellët. Kjo është një pajtim mbi të kaluarën, por jo ta harrojmë të kaluarën së çfarë ka ndodhur”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, transmeton Telegrafi.

Samiti i Berlinit do të mbahet me 29 prill. Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Mekrel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron kanë ftuar përfaqësuesit e lartë të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me kryeministrin Ramush Haradinaj, kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.