Harmonizimi i terminologjisë së ndjeshme të konfliktit për gazetarët dhe redaktorët e Kosovës

13.09.2016 14:32:27

Punëtoria me temën “Harmonizimi i terminologjisë së ndjeshme të konfliktit për gazetarë dhe redaktorë”, e cila ka bashkuar gazetarët dhe redaktorët shqiptarë e serbë të Kosovës, ka qenë e orientuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe komunikuese të gazetarëve, duke promovuar raportimin e saktë, të paanshëm dhe të përgjegjshëm në kohë të pajtimit.

Ligjëruesi dhe eksperti për media nga Kroacia, Davor Gllavash, ka bërë të ditur për KosovaPress se një nga qëllimet e kësaj punëtorie ka qenë që të shqyrtohet mundësia e mënyrës së shmangies të përdorimit të stereotipeve të zakonshme gjatë raportimit rreth problemeve që i përkasin etnive apo grupeve të ndryshme.

“Si synim kemi parashtruar hapjen e dialogut që të shohim nivelin e pajtueshmërisë rreth nevojës që kjo të ndryshojë gjatë një komunikimi të përditshëm, si dhe gjatë raportimit medial. Nuk dua të them se ia kemi arritur qëllimit. Kjo do të shihet më vonë, mirëpo nëse përfundimin e bazojmë në diskutimet formale dhe joformale të cilat i kemi zhvilluar, konsideroj se kemi arritur cakun, ngase veç tjerash, është ngritur vetëdija se një gjë e tillë ekziston si problem”, ka thënë Gllavash.

Sipas tij, duke u bazuar në punëtoritë gjatë viteve të kaluara të organizuara nga misioni i OSBE-së, përparimi në këtë drejtim është më se i dukshëm, sepse fakti që më herët problemi ka qenë rreth kontesteve politike, kësaj radhe kanë mbizotëruar më shumë probleme profesionale, përkatësisht arritja e disa kritereve profesionale dhe nivelit më civilizues gjatë komunikimit në hapësirat publike.

Zyrtari për media pranë OSBE-së, Xhemal Çallakoviq, ka potencuar se tani veç mund të flitet për një progres të dukshëm sa i përket standardeve profesionale gjatë raportimit.

“Ky takim është padyshim i suksesshëm sepse disa herë në vazhdimësi kemi organizuar punëtori të tilla dhe tani vërehet progres i dukshëm sa i përket standardeve profesionale gjatë raportimit.

Gazetarët, por edhe shtëpitë mediale në përgjithësi, kanë shënuar progres të madh rreth përdorimit të terminologjisë”, tha Çallakoviq.

Në anën tjetër, Elfije Boletini, gazetare e portalit Telegrafi, theksoi se kjo punëtori ka qenë një rast i mirë për të diskutuar mundësitë e miratimit të terminologjisë dhe parimeve të raportimit të ndjeshëm të konfliktit.

“Është diskutuar veç tjerash edhe për disa nuanca dhe çështje subtile rreth raportimit që mund të kontribuojnë nëse mediat duan të jenë zgjidhje apo shkas i ndonjë problemit. Andaj, mendoj se takimet e tilla janë tejet të rëndësishme për faktin se gazetarët pjesëmarrës, e kanë më të lehtë të identifikojnë termet të cilat nacionaliteti tjetër i konsideron si fyese”, ka thënë Boletini.

Ajo shtoi se vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet përmirësimi i marrëdhënieve mes etnive. Ndryshe, punëtoria me temën ‘Harmonizimi i terminologjisë së ndjeshme të konfliktit për gazetarët dhe redaktorët e Kosovës’ është mbajtur javën e kaluar në qytetin e Ohrit të Maqedonisë.