Hasani: Zgjedhjet në këtë kohë nuk janë zgjidhje

26.10.2016 19:17:45

Prishja e koalicionit qeverisës, zgjedhjet e paralajmëruara dhe demarkacioni janë ndër çështjet më të përfolura në vend. Të gjitha këto çështje kanë nxitur debate shumë të “nxehta” në mes liderëve pozitë-opozitë.

Në një prononcim për Indeksonline deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani ka theksuar se zgjedhjet e paralajmëruara janë bërë vetëm nga kryetari i partisë, i cili sipas tij ka dhënë një ide e cila pa qenë e përfshirë e gjithë partia nuk do të jetë funksionale.

“Kryetari i partisë, Kadri Veseli  ka dhënë një mendim të vetin si kryetar dhe zgjedhjet mund të caktojë vetëm subjekti më i madh që e ka formuar përndryshe zgjedhjet i cakton subjekti, nëse ky subjekt dëshiron që të shkojë në zgjedhje dhe janë rrethanat ato të cilat  caktohen në bazë të rregullores që kemi”, ka thënë Hasani.

Gjithashtu sipas tij në këtë kohë nuk ka zgjidhje të mundshme, prandaj “nuk jam për zgjedhje”.

“Nuk janë vetëm zgjedhjet, pasi zgjedhjet duhet të jenë edhe zgjidhje. Pra nëse ka të bëjë me një zgjidhje të mundshme atëherë jemi për zgjedhje. Por zgjedhjet nuk kanë të bëjnë vetëm çështjet politike pasi janë marrëveshje që përcaktohen për të shkuar më tutje”, ka thënë Hasani.

Po ashtu Hasani ka theksuar se demarkacioni është çështje territori, pra çështje e shumë rëndësishme e vendit.

“Ne kemi kërkuar që të ketë konsensus pasi që është çështje e territorit dhe nuk është çështje e Kryeministrit as e një Kryetari të Kuvendit apo një Presidenti të vendit, por është çështje territori dhe duhet një konsensus për çështje të ndishme prandaj me konsensus arrihet gjithçka kurse pa konsensus atëherë vetëm kemi krizë”, ka shtuar Hasani.

Ndërsa i pyetur rreth takimit të djeshëm në mes liderëve pozitë dhe opozitë, Hasani ka theksuar se është mirë që të ketë takime të tilla.

“Është mirë të ketë takime që të diskutohet në çfarëdo forme, pra duhet të ketë takime të tilla të bisedohet pasi me bisedime ka mundësi të arrihet një objektiv apo një konsensus i mundshëm”, ka përfunduar Hasani.