Hashim, lëre emrin e stadionit të futbollit, por kryej detyrat e tua! Gjykata speciale pret nga ti t’i çosh atje shokët apo ish-shokët e tu!

17.02.2017 22:54:10

Nga Rexhep Kastrati

Hashim Thaçi paska provuar të imponojë emrin për stadionin e futbollit në Prishtinë, duke dëshmuar se nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga përzierja në punët e të tjerëve dhe as nga nxitja e përçarjeve brendashqiptare.

I dalë në skenën publike-politike në krye të një linje përçarëse dhe luftënxitëse brendashqiptare, pra në krye të linjës së Tiranës/Kretës, që doli pas takimit Nano – Milosheviq në Kretë, Hashim Thaçi gjatë tërë viteve ka dëshmuar se nuk heq dorë nga misioni i tij përçarës dhe provokativ.

Po ashtu, i përmendur si spiun francez, pra i stërvitur për të mbrojtur kauza dhe interesa serbo-franceze, Hashim Thaçi, edhe nga pozita e presidentit të shtetit, vazhdon të provokojë shqiptarët.

Provokimi i fundit është përpjekja për të imponuar emrin e Adem Demaçit si emër për stadionin e futbollit në Prishtinë, edhe pse Adem Demaçi ende nuk e ka të zbardhur histroinë e tij të burgjeve, dhe gjatë pjesës së dytë të viteve ’90 të shekullit të kaluar ishte angazhuar hapur kundër rregullimit institucional të Kosovës, ishte angazhuar kundër tyre, si dhe kishte rënë ndesh me vullnetin e shqiptarëve për liri, pavarësi e demokraci.

Përveç këtyre, pas luftës, Adem Demaçi ishte angazhuar hapur kundër presidentit Rugova dhe linjës së tij institucionaliste, kishte mbështetur vrasjet politike, si dhe kishte zhvilluar fushata primitive shpifjesh, fyerjesh dhe përbaltjesh kundër presidentit Rugova dhe personaliteteve të ndryshme politiko-ushtarake të linjës institucionaliste.

Me gjithë këto, dhe të tjera, emri i Adem Demaçit nuk është emri i përshtatshëm për një institucion jashtëpartiak dhe jashtëklanor apo grupor, përkatësisht për një institucion apolitik.

E nëse Hashimi do ta shpërblejë Adem Demaçin për të gjitha këto, atëherë po e identifikon edhe vetë veten si personalitet që qëndron mbrapa gjithë këtyre, si dhe po synon të provokojë pjesën më të madhe të popullit që e ruan veten të pacenuar respektin, nderimin dhe vlerësimin për presidentinRugova, dhe që e ka ndjerë veten të fyer nga përbaltjet e Adem Demaçit.

Hashim Thaçi, ndërkaq, bën mirë që të kryejë detyrat e veta, pra t’i çojë në Gjykatën speciale shokët apo ish-shokët e tij, e qe besa, le të përgatitet edhe vetë, e të mos kujtojë se do ta shpëtojnë betë, apo pazaret e tipit si me Gani Gecin apo Imer Imerin, kurse çështjen e emrit të stadionit ka kush e përcakton dhe atë nga grupi i personaliteteve popullore, e pse jo edhe jopolitike, përkatësisht kulturo-artistike dhe sportive.