Heshtje institucionale në 11-vjetorin e vdekjes së Presidentit Rugova

21.01.2017 10:18:45

Institucionet e Kosovës nuk planifikojnë aktivitete në ditën kur bëhen 11 vjet nga vdekja e presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Përveç LDK-së e AAK-së, institucionet dhe subjektet tjera politike nuk planifikojnë aktivitete në 11 vjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës.

Portali KALLXO.com ka kontaktuar këshilltarin e Presidentit, Artan Behrami,për ta pyetur në lidhje me aktivitetet e mundshme të Presidencës në ditën e vdekjes së Ibrahim Rugovës, por Behrami edhe pse u dakordua për të njoftuar rreth kësaj çështjeje, më pas nuk iu përgjigj thirrjeve telefonike.

As Zyra e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës nuk ka në plan të bëjë homazhe për Ibrahim Rugovën gjatë dites së sotme. Këtë e ka konfirmuar këshilltari për media i Kryetarit Veseli, Valmir Klaiqi.

Aktivitete për sot në kujtim të ish-Presidentit nuk ka paraparë as partia që u krijua nga presidenti aktual Hashim Thaçi.

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Basri Musmurati për KALLXO.com e ka konfirmuar se si kryesi nuk kanë në agjendë ndonjë aktivitet përkujtimor për Rugovën.

“Brenda Kryesisë së PDK-së s’ka ndonjë agjendë të caktuar për nesër, por të gjithë njerëzit tanë janë në institucione dhe ata do bëjnë homazhe,” tha Musmurati .

Presidenti Hashim Thaçi tri ditë më parë organizoi akademi përkujtimore dhe e dekoroi me urdhrin “Hero i Kosovës” Haki Imerin, ish-aktivistin e LDK-së të vrarë pas luftës.

Në këtë ceremoni nuk morën pjesë përfaqësues të LDK-së.