Homazhe për pesë marsin, Jasharisht

05.03.2020 19:10:08

Prend BUZHALA

(Çast lirik)

Kujdes, në parakalim.
Shenja e Prerjes së Epokës është ajo e Rinjohjes jasharisht.
Para se të marshonte vdekja, ai tha:
do të ketë më pak rënie e më shumë foshnje.
Më shumë fëmijë për luftërat e ardhme,
më pak korba që hanë sytë e luftëtarëve.
Më pak kohë të sertë
e hapje të pakufi të Gjirit të Dashurisë për të gjithë.
Është Kënga e Falënderimit Mëngjesor:
Faleminderit, Kosovë, që nuk vdes kurrë!
E gjallë për Teutat dardane
e për Gjergjin e Arbërisë, të sotmin e të nesërmin.
Jasharisht, liria ligjëron për gjakimet,
e di cili është Qëllimi Ynë Më i Lartë.

2.
E lexon dhe e ndien mahnitshëm
Plagën e Thellë të së kaluarës, ende të valë.
Qenien e Plagosur në Palcën e saj të shpirtit,
të bjerrë nëpër ravë të huaja.
Ta dish, këtë ia kemi borxh Jasharëve,
dhe Polemit të therur nëpër mijëvjeçarë.
Pa u larguar, së pari kërkoje
cili qenka Hamza Kastrioti në mesin tënd.
Edhe kur vuajmë pafundësisht
a kur përgjakemi për Kushtrime dashurie e lirie.

3.
Kush vjen në Kosovë,
te çdo fjalë shqipe e dëgjon zjarrin e gjallë të kryengritjeve.
Te secili shtegtim, si një marshim,
e sheh flakën e trimërisë deri në vetëmohim.
Nëse i shfleton librat tanë të moçëm,
aty parakalojnë betejat e lashta.
Ai mort e mot durimmadh i polemit
për Këtë Ditë që Vjen Amshueshëm.

… që vjen amshueshëm.

(5 mars 2014)
(Nga vëllimi Prend Buzhala: ÇASTE LIRIKE Poezi
(Vëllimi i parë, 1-90), Shtëpia Botuese ROZAFA, Prishtinë 2014

Fotografia e Prend Buzhala