I Vodhen orën me vlerë 70 mijë euro të Dolberg, talenti i Nice rrezikon përjashtimin

26.09.2019 17:41:54

Zbulohet hajduti që i vodhi orën me vlerë 70 mijë euro e futbollistit të Nices, Dolberg, i cili iu bashkua klubit francez për 20.5 milionë euro, që shkuan në arkat e Ajaxit të Amsterdamit.

Autori i vjedhjes së orës në dhomat e zhveshjes, që shkaktoi zemërimin e 21-vjeçarit, është një futbollist premtues i Nices, 18-vjeçari Lamine Diaby-Fadiga.

Dolberg, pasi vuri re mungesën e orës, nuk pranoi të stërvitej të nesërmen madje kërcënoi se nuk do të luante kundër Dijonit. Sidoqoftë, ai rezultoi të ishte pjesë e formacionit, duke luajtur dhe shënuar një gol në fitoren 2-1.

Dolberg paraqiti një ankesë në polici dhe hajduti, siç njofton “L’Équipe”, do të marrë ndëshkimin e duhur për këtë veprim të shëmtuar.

Diaby-Fadiga debutoi me 16 vjeç, 10 muaj e 18 ditë nën drejtimin e Lucien Favre dhe pati një vazhdimësi edhe me Patrick Vieiranë trajner. Ai ka luajtur në 7 ndeshje me ekipin e parë të Nices si dhe ka qenë pjesë e përfaqësueseve U-16, U-17 dhe U-18 të Francës.

Lëndimi që pësoi në këmbën e majtë në muajin prill ka bërë që Diaby-Fadiga të mos ketë asnjë minutë në këmbë në këtë sezon. Tashmë që është identifikuar se hajduti që vodhi orën e Dolberg e ardhmja e tij te Nice është kompromentuar.

Për sulmuesin premtues ka nisur procedimi disiplinor, ndaj është thirrur të japë shpjegimet përkatëse. Sipas “L’Équipe” klubi francez mund të vendosë ta përjashtojë nga ekipi.