I vunë tritol ish-krushkut, prokuroria kërkon masën ‘arrest me burg’ për autorët

20.11.2016 12:47:47

Prokuroria e Krujës kërkon caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për tre persona, të dyshuar se kanë vendosur një sasi tritoli në ambientin “rrobaqepësi”, në administrim të shtetases F. Taga, në Fushë-Krujë. Nga shpërthimi i lëndës plasëse janë shkaktuar vetëm dëme materiale në ambientin privat të familjes Taga, si edhe tek disa automjete që gjendeshin pranë.

Shpërthimi i tritolit ka ndodhur rreth orës 17.30 të datës 15.11.2016 dhe dyshimet e para janë ngritur mbi shtetasit Skënder Vathi dhe nipin e tij, Erjon Tema, për shkak të një krushqie të prishur ndërmjet Vathit dhe familjes Taga. Gjithashtu, ka dyshime se edhe miku i të dyshuarve, shtetasi Ergest Duka ka qenë pjesëmarrës në veprimet e tyre. Tre personat dyshohet se kanë kryer veprat penale të “Shkatërrimit të pronës me eksploziv” dhe “Prodhimit dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.

Në bazë të veprimeve hetimore të deritanishme rezulton se me datën 15.11.2016, rreth orës 17:45 salla operative e Komisariatit të Policisë është njoftuar në linjë telefonike se në lagjen “Punëtori” të qytetit Fushë Krujë, pranë automjetit dhe rrobaqepësisë në pronësi të shtetasit S. Taga, është shpërthyer një sasi eksplozive. Pas marrjes së njoftimit policia menjëherë ka vajtur në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se mbi sipërfaqen e asfaltit pranë rrobaqepësisë, e cila ndodhet në katin e parë të pallatit 6 katesh, është shkaktuar një dëmtim në formë rrethore, me përmasa 45 x 45 x 10 cm. Si pasoje e shpërthimit janë dëmtuar xhamat e rrobaqepësisë në pronësi të shtetasit S. Taga, si dhe 5 automjete që kanë qenë të parkuara pranë rrobaqepësisë. Sipas deklarime dhe nga dinamika e ngjarjes, rezulton se rreth orës 17.30, S. Taga dhe bashkëshortja e tij, F. Taga, kanë qenë në dyqanin “rrobaqepësi”, kur kanë dëgjuar zhurmën e një objekti që ra para dyqanit të tyre. S. Taga ka dalë për të parë se çfarë ishte dhe ka parë një objekt të mbështjellë me lecka, i cili vinte era barut. E ka shtyrë me këmbë rreth dy metra dhe aty është dëgjuar edhe shpërthimi i tritolit.

Kjo provohet edhe nga thëniet e dëshmitarëve të tjerë të rastësishëm, të cilët kanë parë në atë moment fitilin që po digjej dhe janë larguar me vrap, para se lënda të shpërthente.

Në bazë të të dhënave hetimore, rezulton se ndërmjet familjes së Skënder Vathit dhe familjes Taga ka pasur një problem të zgjatur në kohë, për shkak të një krushqie të prishur. Për këtë arsye, dyshimet e para u krijuan se vendosja e tritolit mund të ishte realizuar nga Skënder Vathi. Efektivët e policisë shoqëruan këtë të fundit, i cili gjendej në shtëpi së bashku me nipin e tij, Erjon Tema. Dy të dyshuarit kanë mohuar që të kenë lidhje me vendosjen e tritolit në dyqanin e S.Tega, megjithëse pranojnë se ndërmjet tyre kanë një krushqi të prishur. Skënder Vathi dhe Erjon Tema deklarojnë se janë takuar pasdite në Fushë-Krujë dhe rreth orës 16.30, pra një orë para shpërthimit kanë shkuar në shtëpinë e Vathit, në Vorë.

Ndërkohë, në rrugë operative, efektivët e policisë kanë mësuar se, gjatë asaj dite, në shoqërinë e dy të dyshuarve, ka qenë edhe Ergest Duka. Ky i fundit ka mohuar të ketë qenë nën shoqërinë e Vathit atë ditë, duke pretenduar se ka qenë gjatë gjithë ditës në një kazino të qytetit. Duka e pranon se njihet me Skënder Vathin, pasi kanë qenë në të njëjtin burg, para disa kohësh. Por ai mohon të ketë lidhje me shpërthimin e tritolit në rrobaqepësinë e S. Taga. Duke analizuar të dhënat e referuara të deritanishme, Prokuroria e Krujës kërkon caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për tre të dyshuarit.