Ironia e Vasilit: Edhe orkestra e RTSH mund të flasë shqip

03.01.2017 12:57:16

Kohët e fundit LSI-ja nuk po lë rast pa ju kundërvënë kryeministrit, Edi Rama. Në konferencën e fundvitit me gazetarët Rama deklaroi, se nuk e vë dot në zbatim ligjin kundër lojrave të fatit, pasi nuk i ka votat e duhura në parlament. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i numrit 2 të LSIS-së Petrit Vasili, i cili e ka sfiduar vetëm pak orë më pas, kur ka deklaruar se Rama le ta sjellë në parlament në çdo moment që të dojë dhe votat e tyre i ka të gjitha.

Edhe për eventin e fundit të pompuar me aq shumë bujë nga kryeministri, Petrit Vasili i LSI-së deklaron, se është orkestra e RTSH-së që mund të bëjë që Koncerti i Vjenës të flasë shqip. “Orkestra e RTSH formacion muzikor dinjitoz. Danubin blu shqiptarët  e kanë dëgjuar falë kësaj orkestre. Shkëlzen Doli dhe orkestra e RTSH e sjellin Vjenën në Tiranë. Qeleshet rrinë më mirë në kokën e shqiptarëve. Shqiptaret e pinë më mirë edhe rakinë me fund”, ka ironizuar ai koncertin për të cilin u harxhuan aq para sa është buxheti i një viti për Teatrin e Operas dhe Baletit.