Isa Mustafa për qeverisjen e Shpend Ahmetit: Një mandat, me një Audi Q7 dhe 70 dosje

30.10.2017 12:24:08

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një shkrim në facebook ka bërë një rekapitulim të katër viteve të qeverisjes së Shpend Ahmetit në Prishtinë, të fokusuar në propagandën e VV-së me Audi Q7 dhe me 70 dosjet.

Kryetari Mustafa ka trajtuar propagandën e VV-së si e stilit bolshevik sovjetik dhe të nazizmit të Hitlerit.

Pas pjesës teorike, z. Mustafa ka sqaruar se Audi Q7 ishte blerë për nevoja të komunës dhe është një nga makinat e të njëjtës kategori me makinat tjera që përdoren nga instirucione të ndryshme

Z. Mustafa, ndërkaq ka shprehur bindjen se kryetari i ri i Prishtinës, Arban Abrashi nuk do të merret me sajime dosjesh, me fluturimet e Shpend Ahmetit, me jahte, me punësime të militantëve partiakë etj., pasi që këto janë përgjegjësi e institucioneve përkatëse siç është prokuroria.

Ky është i plotë postimi i kryetarit Mustafa:

Propaganda definohet si informatë joobjektive, e cila përdoret para së gjithash për të influencuar një audiencë, për të shtyrë përpara një agjendë të caktuar, shpesh përmes prezantimit selektiv të fakteve dhe përmes gjuhës e cila zgjon emocione dhe jo sjellje racionale për informatën e prezantuar.

Propaganda, pra, asocon me qasje manipulative.

Këtë më së miri e ka vërtetuar Revolucioni Bolshevik në Rusi e nacizmi në Gjermani.
Shfrytëzimi i një makine Audi Q 7 nga Vetëvendosje për të bërë propagandë katër vjet rresht, dhe mbajtja e asaj makine në ballinat e mediave kosovare, “u shit, s’u shit; ankandi i parë, i dytë, i trete …, u shit më lirë sesa që është blerë…” , është fenomen i ri në propagandën postbolshevike.


Katër vite trumbetuan për 70 dosje të dërguara në Prokurori të shtetit kundër qeverisjes së Isa Mustafës. Rezultoi, sipas Prokurorisë, se në ato dosje nuk është vërtetuar përgjegjësia ime. Por propaganda e bëri të veten.


Makina Audi Q 7 është një nga qindra makina të kategorisë së tillë ( Toyota, BMW, Mercedes….) që përdoren nga zyrtarë të lartë e të ulët në të gjitha institucionet e Kosovës, në agjensione dhe organizata të pavarura. Makina është një mjet pune, jo luksi. Blerja e asaj makine rezultoi nga nevoja që qitet jashtë përdorimi makina tjetër Taureg VW, gati e të njëjtës kategori, por që shpenzonte rreth 35 litra benzinë në 100 km.


Nuk besoj se Kryetari i ri i Prishtinës, Arban Abrashi do të merret me sajime të dosjeve dhe me propagandë. Me udhëtimet me jahte të Shpend Ahmetit, fluturimet e tij me aeroplan privat, të bizneseve që operojnë edhe në Prishtinë, për të përcjellë ndeshjet jashtë vendit; me dhënien në shfrytëzim të pronave të komunës në procedurë jo konkurruese (për çfarë një kryetar tjetër i një komune po sillet vërdallë qe 8 vite nëpër gjyqe). Se a janë, ashtu siç flitet, punësimet e rreth 500 militantëve me kontratë mbi veprën, korrupsion apo jo; se si është bërë shlyerja e borxheve të komunës për mallra dhe shërbime përmes përmbaruesve, dhe pse ka ndodhur kjo; se a është e drejtë që të sillen militantët partiak nga krejt Kosova e të punësohen në shkollat e Prishtinës, duke anashkaluar qytetarët e kësaj komune, e shumë e shumë të tjera.


Mendoj se këto janë çështje të institucioneve përgjegjëse, hetuesisë, prokurorisë, gjyqësisë, por edhe të mediave dhe shoqërisë civile.
Arban Abrashi është përcaktuar të realizojë projekte zhvillimore duke e respektuar ligjin. Ai, sigurisht, do të ndërpresë të gjitha procedurat joligjore në komunë, të cilat janë mbuluar me propagandë.
Me Arban Abrashin, qytetarët do të lirohen nga propaganda, por do të fitojnë në zhvillim të Prishtinës dhe në zgjidhjen e shumë kërkesave dhe problemeve të tyre,