Ish Qeveria Kurti e izoloi Luginën e Preshevës përballë pandemisë botërore të Koronavirusit

27.03.2020 19:35:20

Nexhmedin Saqipi

Rrëzimi i ashtuquajtur Qeveria Kurti, nuk është pritur me ndonjë shqetësim të madh nga shqiptarët e Luginës së Preshevës, nga se për ata më shumë vlen një betejë kundër virusit më të rrezikshëm botëror të Covid – 19, se sa një luftë për karrige pushtetare.

Qeveria Kurti, ka qenë e dënuar që të dështoj për shumë arsye, të cilat u kurorëzuan me mosbesim, duke e larguar  një udhëheqje, që arriti të funksionojë jo më shumë se 50 ditë. Por edhe për aq ditë sa udhëhoqi Albin Kurti me ekipin e tij qeveritar, i solli shumë probleme Kosovës, si në arenën ndërkombëtare, po ashtu dhe në atë vendore.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës u ndërruan katër kryeministra, asnjë nga ata nuk u kujtuan ta quajnë veten: Qeveria Isa, Qeveria Thaçi, Qeveria Haradinaj, përveç se Qeveria Kurti, e cila hyri në historinë jo vetëm të këtij shteti, me mandatin më të shkurtër të qeverisjes së saj.

Pasojat e Qeverisjes Kurti, e cila iku me mosbesimin e dy të tretat e deputetëve të Parlamentit të Kosovës, i kanë hequr jo vetëm kosovarët, por edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët në momentet më të vështira të përhapjes së virusit Korona, u izoluan duke u lënë në një karantinë të dyfishtë, mes dy kufijve shtetërorë.

Ish kryeministri Albin Kurti, izoloi Luginën e Preshevës, në kohën kur serbët e Veriut të Kosovës, shpallën gjendjen e jashtëzakonshme sipas Beogradit, e ai, nuk kërkonte reciprocitet me bashkëkombësit e tij në lindje të Kosovës. Bile, nuk u dëgjua nga ai, as vetëm një reagim i vogël ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë Vuçiq, kur tha se serbët e Veriut të Kosovës, të sëmurë nga virusi korona, do të trajtohen nëpër klinikat e Serbisë.

Pikërisht në kohën kur e gjithë bota u ngrit në këmbë për ta luftuar armikun e përbashkët të Korona virusit, ky farë kryeministri në ikje, me fshesën e tij politike, hakmerrej ndaj kundërshtarëve politikë, duke mos kursyer edhe ata të bashkëkoalicionit me përjashtime nga postet ministrore, të cilat ai vet i emëronte dhe i shkarkonte brenda natës.

Deri sa ish kryeministri Kurti, argëtohej me largimin e ministrave dhe udhëheqësve të tjerë, të cilët mendonin ndryshe, për ta nxjerr vendin nga kriza politike dhe ekonomike me ndihmën e miqve amerikanë dhe perëndimore, ai edhe në këto rrethana të jashtëzakonshme, mbillte përçarje dhe shkaktonte probleme artificiale.

Largimi i ish “Qeverisë” Kurti, do të mbahet mend për popullin e Kosovës dhe bashkëkombësit te saj në Luginë të Preshevës, si një shembull i keq se si nuk duhet të manipulohet me institucionet e ngritura me votën e qytetarëve, të cilët i zgjodhën ata jo për t’i qëruar hesapet mes njëri-tjetrit, por për ta përparuar vendin me ndihmën e miqve ndërkombëtarë dhe për tu kujdesur më shumë për shqiptarët e Luginës, të cilët gjatë gjithë proceseve luftarake e paqësore u gjendën përkrah tyre edhe pse nga ato kurrë nuk u shpërblyen.

(Autori është publicist dhe kryetar i Shoqatës së Gazetarëve “Etika” nga Lugina