Italia diskuton një hapje të shtetrrethimit, Conte diskuton me biznesin dhe sindikatat

09.04.2020 21:42:52

Më datën 13 prill në Itali skadon dekreti i kryeministrit Xhuzepe Konte për shtetrrethimin kombëtar si pasojë e pandemisë së COVID-19. Kjo nuk do të thotë se pas kësaj date gjithçka do të kthehet në normalitet, ndaj ekspertët qeverisë italiane po diskutojnë mundësitë e hapjes graduale të jetës publike, gjithnjë në mënyrë të kontrolluar.

Rihapja po mendohet në dy faza: e para i përket biznesit prodhues i cili do të lejohet të punojë dhe faza e dytë dhe më delikate, hapjes për publikun e gjerë të aktiviteteve të ndryshme, por gjithmonë me kushte kufizuese.

Ndërkohë, në rajonin e Lombardisë janë hapur tregjet e mbyllura, vendim që ka hasur edhe në kritika ndaj kryebashkiakut Xhuzepe Sala. Të parët që do të rinisin punën nga mesi i prillit janë prodhuesit e farmaceutikës, ushqimeve, mirëmbajtjes dhe mekanikës.

Po shqyrtohet mundësia e hapjes së bareve dhe restoranteve me kushtet e mëposhtme. Të gjithë duhet të mbajnë një distancë të paktën 1 metër nga banaku dhe tavolinat duhet të jenë larg 2 metra nga njëra-tjetra. Do të jetë detyruese që stafi punonjës dhe kamarierët të mbajnë doreza gjatë shërbimit.

Edhe transporti publik do të rinisë me disa kufizime. Nuk do të lejohen dyndje në autobusë dhe ulja në ndenjëset do të jetë “një po, një jo” në mënyrë që të ruhet distanca mes pasagjerëve. Po kështu, çdo mjet transporti publik duhet të ketë një kontroll për të siguruar që kufizimet po zbatohen. Hapja e parqeve publike dhe diskotekave për momentin as që mendohet, por nuk përjashtohet që ky hap të hidhet brenda muajit maj.

Kryeministri Konte do të takohet në fundjavë me përfaqësues të biznesit dhe sindikatave për të diskutuar masat e lehtësuara pas 13 prillit. Ndërkohë për Pashkët e 12 prillit, policia ka menduar të përforcojë kontrollet e lëvizjeve dhe disa rajone kanë vendosur të ndalojnë hyrjen “e të huajve” në territoret e tyre për të shmangur fluksin e festës.