Ja pse Bernard Berisha kaloi te Terek Grozny

28.12.2016 16:54:14

Mediat ruse bëjnë të ditura detaje interesante në lidhje me transferimin e Bernanrd Berishës te Terek Grozny. Në një artikull të faqes online, “Sportbox”, shkruhet se janë vështirësitë financiare të skuadrës nga Dagestani që po e detyrojnë klubin të shesë yjet e tij. Për këtë arsye Bernard Berisha është vetëm ylli i parë i skuadrës që skualifikohet dhe mund të pasohet me largime të tjera të lojtërave të rëndësishëm si braziliani Xandao apo fantazisti Ilicevic, ndërkohë që pezull është dhe e ardhmja e trajnerit Pavel Vrba, që i duhet të pranojë reduktimin e pagës për të qëndruar.

Në një situatë të tillë, kur Presidenti Sulejman Kerimov po has vështirësi në aspektin ekonomik, klubi duket se e ka të pamundur të mbajë lojtarët e tij më të mirë, e madje nuk mund të garabntojë pagesat e lojtarëve për pjesën e mbetur të sezonit, ndaj edhe është arritur akordi në parim me Presidentin e Terek Grozny-t, Muhamed Dagedov për shitjen e Berishës në klubin cecen.

Për të arritur te zyrtarizimi i transferimit duhen përcaktuar edhe detaje të rëndësishme pasi pas arritjes së akordit mes klubeve për momentin stafi që menaxhon Berishën është duke negociuar për termat personalë të kontratës së ish futbollistit të Skënderbeut që ka shfaqur tashmë vlerat e tij në kampionatin rus. Vetëm pasi të arrihet dakordësia dhe në këtë drejtim do të vijë dhe zyrtarizimi i transferimit si edhe bashkimi i Berishës me skuadrën e tij të re, ku luajnë dhe Bekim Balaj e Odise Roshi. Në aspektin sportiv padyshim që kjo është një lëvizje pozitive për Bernard Berishën, pasi Anzhi për momentin ndodhet në vendin e 11 të Premier League ruse, 6 pikë larg zonës së ftohtë, ndërsa Terek ka të tjera objektiva pasi ndodhet në vendin e pestë me të njëjtën kuotë pikësh 28, sa Krasnodari i vendit të katërt që siguron kualifikimin në Europa League.