Jahjaga flet për rolin e ish presidentit Clinton gjatë luftës

11.06.2019 14:56:32

Ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga e ka pritur sot në takim ish-presidentin e SHBA-ve, Bill Clinton.

Përmes një postimi në Facebook, Jahjaga ka thënë se vendosmëria e Clinton në kohën më të errët të popullit tonë ishte vendimtare për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë vendit.

Sipas saj, mbështetja e Clinton për fushatën e NATO-s në Kosovë ndaloi një katastrofe njerëzore që po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha.

Ky është postimi i Jahjagës në Facebook:

Ishte nder dhe privilegj i madh ta mirëpres ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike. Në kohën më të errët të historisë moderne të vendit tonë, vendosmëria dhe guximi i Presidentit Klinton ishin vendimtare për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë një populli të tërë. Vendimi i Presidentit Klinton për të mbështetur fushatën e NATO-së në dhënien fund luftës në Kosovë ndaloi një katastrofë njerëzore që po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha në Ballkan. Lidershipi i Presidentit Klinton ndryshoi kursin e historisë së Kosovës dhe u bë garantues për rivendosjen paqës dhe të stablitetit në të gjithë rajonin.

Mbështetja a palëkundur e tij për Kosovën dhe popullin e saj është symbol i miqësisë dhe aleancës së fuqishme të Shteteve të Bashkuara me Kosovën!