Jahjaga: Shkollat tona nuk janë vende krimi e policët tanë nuk janë kriminelë

06.02.2019 19:21:05

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se është e shokuar dhe thellësisht e irrituar me lajmet mbi abuzimin e dyfishtë seksual të vajzës nga Drenasi.

“Pas abuzimit të saj në shkollë, e cila do të duhej të ishte shtëpi e dytë për fëmijët tanë, ajo iu drejtua për ndihmë një polici i cili do të duhej ta mbronte atë. Por, shkolla u shndërrua në ferr, ndërsa polici u bë abuzues. E gjithë kjo ndodhi sepse dy individë shpërfaqen të keqen e tyre duke ushtruar-madje vazhdimisht- dhunë të egër, mizore e barbare mbi një të mitur”, ka shkruar Jahjaga në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ajo ka thënë se individët e përfshirë në këtë rast nuk e kanë vendin as në shkollë e as në polici.

“Shkollat tona nuk janë vende krimi e policët tanë nuk janë kriminelë! Individët që dhunojnë fizikisht e psiçikisht vajzat e djemtë tanë duke kryer vepra të tilla çnjerëzore e kanë vendin prapa grilave. U bëjë thirrje institucioneve të drejtësisë që, sa më parë, ta ndriçojnë këtë rast, dhe kryesit e këtyre krimeve të marrin dënimin e merituar”, ka thënë Jahjaga.