Jeta e diasporës shqiptare në një ekspozitë

18.11.2016 16:10:38

“Libri Antikuar për Shqipërinë në Bibliotekën Françeskane”, me autor At Vitor Demaj dhe Silva Kodheli është vlerësuar me çmimin Kombëtar të Bibliofilisë “Lumos Skëndo 2015″. Motivacioni që ka shoqëruar këtë çmim që ndahet çdo vit nga Biblioteka Kombëtare, është ” për një harmonizim vlerash të çmuara informuese, shkencore e bibliofilike duke pasuruar estetikisht kolonën e Botimeve Françeskane në prag të 100-vjetorit të themelimit”.

Me çmimin Kombëtar të Bibliofilisë Lumo Skëndo 2016, është vlerësuar dhe “Botimet Kult”, për koleksionin e revistës së mirënjohur “Albania” të Faik Konicës, me motivacionin ” një botim anastatik bibliofilik par excellance, duke pasuruar bibliotekat tona me një nga monumentet më të çmuara të kulturës kombëtare, në përmbyllje të vitit kulturor “Faik Konica” të shpallur nga Federate Panshqiptare “Vatra”.

Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë “Lumo Skëndo” nga viti 2013 i është besuar Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. I akorduar për herë të parë në vitin 2006, është çmimi i vetëm që nxit dhe mbështet cilësinë estetike të botimeve shqiptare. Ky çmim i shërben vlerësimit dhe stimulimit të botimeve me vlera të spikatura bibliofilike dhe intelektuale, nëpërmjet evokimit të personalitetit të kulturës dhe politikës shqiptare Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri), veçanërisht si themelues i bibliofilisë shqiptare. Këto ditë Bibloteka Kombëtare në kuadër të Samitit të parë të Diasporës, hapi ekspozitën “Identiteti kombëtar dhe diaspora”.Të karakterizuara nga një vetëdije mbresëlënëse, diasporat e shumta shqiptare, si arvanitase, arbëreshe, ballkanike, ato të Stambollit dhe Misirit, dhe e mirënjohura në SH.B.A. përmes “Vatrës”, përbënë potencialin thelbësor intelektual, politik, diplomatik, organizativ dhe ekonomik, në të cilin u mbështetën përpjekjet për Pavarësi si edhe ato të mëtejshmet për një zhvillim të qëndrueshëm e demokratik të vendit.  Emra të shquar të botës kulturore shqiptare, sot pjesë e rëndësishme e Historisë sonë kombëtare lindën ose u mirëpritën dhe kontribuuan pikërisht në gjirin e këtyre diasporave që nga De Rada e Skiroi, Frashëllinjtë e Çajupi, Nikolla Naço e Kristo Luarasi, e deri te Konica e Fan Noli. Lëvizjet, shoqëritë patriotike e kulturore të themeluara prej tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e trashëgiminë tonë kombëtare.

Vlerave të kësaj ekspozite iu shtuan simbolikisht edhe vlerat e paçmueshme të rreth 270 librave nga Biblioteka e mirënjohur e Faik Konicës, të cilët tashmë do të pasurojnë fondet e Bibliotekës Kombëtare. “Kjo ekspozitë skicon një retrospektivë të historisë dhe jetës së diasporave shqiptare duke theksuar të përbashkëtën e tyre të madhe: ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar. Përmes 265 antikuaresh, librash, revistash etj, synuam të shënjojmë një nga rrugëtimet më mbresëlënëse të diasporës shqiptare, ku qytete si Londra, Parisi, Aleksandria, Bukureshti, Bostoni, por edhe shtete si Kroacia, Italia, Rumania, Bullgaria, Aleksandria e SH.B.A., nuk janë thjesht shprehje gjeografike për vendbanimet e kolonive shqiptare, por vende ku ka rrahur fuqishëm zemra e kombit”, tha Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare Persida Asllani.  Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, z. Ardit Bido, vuri në dukje se me këtë ekspozitë, përmes një pasqyrimit të thukët, vjen historia e mërgatës dhe kontributi i jashtëzakonshëm i saj në jetën kulturore dhe shoqërore të Shqipërisë. “Është kjo mërgatë që ka krijuar këtë shtet, që i kanë dhënë hovin vendit tonë” – shtoi ai. “Rreth 100 dokumente të statuteve të shoqërive patriotike e letrare, aspekte të aktivitetit të shumtë politik e diplomatik të tyre, portrete, imazhe dhe pjesë të tjera dokumentuese, pasuri e Arkivit Qendror të Shtetit, vijnë si një dëshmi e fuqishme për të treguar rolin dhe kontributin e çmuar të diasporës shqiptare dhe personaliteteve të shumta të saj”.

Ministria e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro-Furxhi, duke u ndalur në rëndësinë dhe rolin historik të diasporës shqiptare theksoi se “kjo ekspozitë i drejtohet jo vetëm publikut të përhershëm por edhe bashkatdhetarëve që vijnë nga diaspora. Për të parë gjurmët e të gjitha diasporave të mbledhura së bashku, kjo ekspozitë na ndihmon për të kuptuar se sa shumë shtresëzime kulturore ka sjellë vetë diaspora dhe se diasporat shqiptare janë diaspora kulturore dhe vetë historia e kultura është ndërtuar nga kontributet e tyre, të cilat duke udhëtuar kanë lejuar e mundësuar kryqëzime që kanë mbrujtur dhe pasuruar kulturën kombëtare”. Duke rikujtuar ceremoninë e dorëzimit të shtampës “EX LIBRIS F.K.”, të quajtur ndryshe “Vula e Faik Konicës” në Bibliotekën Kombëtare vetëm një muaj më parë, Kumbaro nënvizoi se “falë bashkëpunimit të ngushtë midis Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Kulturës u mundësua sjellja e një pjese të librave të bibliotekës së Faik Konicës, duke vënë në jetë edhe vetë amanetin e Konicës”.

Më tej, Ministri i Jashtëm, z. Ditmir Bushati, theksoi rëndësinë e “diplomacisë publike si një instrument për promovimin e vlerave më të mira të shqiptarëve kudo në botë”. Ai shtoi se “kjo ekspozitë është një mozaik shumë i pasur i atij kontributi të çmuar të diasporës shqiptarë për formësimin e identitetit kombëtar. Kjo botë e ndërlidhur ka ekzistuar shumë herët dhe diaspora shqiptare, kudo që ka qenë ka dhënë një kontribut të vyer”. Ministri Bushati, falenderoi “At Artur Liolin, Agron Alibalin, Katedralen e “Shën Gjergjit” dhe Bibliotekën e “Fan Nolit” në Boston për kujdesin ndaj veprës së Konicës dhe ruajtjen e vlerave tona kombëtare, duke bërë të mundur që tashmë, në vigjilje të Samitit të Diasporës në Tiranë, të përmbushet vullneti i eruditit të letrave shqipe dhe ambasadorit më të spikatur të diplomacisë shqiptare, Faik Konicës”.

Në kuadër të Samitit të Diasporës, krahas librave të Bibliotekës së Faik Konicës, të mundësuara, nga z. Agron Alibali, fondi i vlerave të rralla të Bibliotekës Kombëtare u pasurua edhe me një letër dorëshkrim të intelektuales me origjinë shqiptare Dora D’Istrias, shkruar në vitin 1862, e cila u dhurua nga z. Gjino Luka. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë i akordoi z. Agron Alibali dhe z. Gjino Luka “Çertifikatën e Mirënjohjes” si shenjë vlerësimi për përkushtimin dhe punën e tyre të çmuar. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për të gjithë vizitorët në deri në datë 29 nëntor 2016.