“Kam vuajtur më shumë me Dibala”, rrëfimi special i mbrojtësit shqiptar që luan me Veronën

27.09.2019 15:43:27

Marash Kumbulla përveçse mbrojtësi më i ri i Serisë A që luan si titullar, po regjistron edhe një ecuri të mirë te Verona. Pesë pikët e verdhebluve në renditje janë pa dyshim meritë e ekipit, ku përveç Amir Rrahmanit, po spikat edhe Marash Kumbulla.

Në klub të gjithë flisnin mirë për mbrojtësin shqiptar dhe ai ia shpërbleu besimin në rastin më të parë. Dy humbjet në kampionat (ndaj Milanit dhe Juventusit), për nga mënyra se si erdhën, nuk kanë ndikuar në vlerësimet për Kumbullën, gjithnjë mes më të mirëve në fushë për ekipin e tij.

Lidhur me përvojën në Serinë A, djaloshi me origjinë nga Shkodra, ka dhënë një intervistë për televizionin e klubit, duke deklaruar: “Kur shoh imazhet në televizor dhe shikoj veten në Serinë A, kam një ndjesi të çuditshme. Nuk jam mësuar ende dhe emocionet vijojnë të jenë të mëdha. Ndihem shumë krenar që edhe pse 19 vjeç po luaj për Veronën në Serinë A. Aventura ime ka nisur pikërisht në këtë klub kur isha 8 vjeç. I kujtoj ende provimet e para dhe të kalosh nga ekipet e fëmijëve, në Serinë A duke luajtur kundër Juves, është diçka e jashtëzakonshme”.

I ftuar special në rubrikën “A tu per tu”, Kumbulla nuk ka la pa përmendur edhe ndjesitë e ndeshjeve të para, apo të rivalëve me peshë me të cilët ka pasur të bëjë në këto pesë javë kampionat.

“Stadiumi i Veronës më bën të rrëqethem, sepse jam edhe tifoz i kësaj skuadre. Debutimi ndaj Bolonjës ka qenë një emocion i madh. Në minutat e para mbaj mend që rrëshqita, por në fund gjithçka shkoi mirë. Çdo ndeshje ka pasur specifikat e veta, por deri më tani kam vuajtur më shumë ndaj Dibalës”, deklaroi 19- vjeçari që ka lindur në Peskiera del Garda (Itali).

Besimi i trajnerit Juriç pas dëmtimit të Boketit (titullari) ka rezultuar thelbësor për Kumbullën, por tani të gjithë presin më shumë prej tij. “Kampionati italian është shumë i vështirë, por të luash me fanellën e klubit që të rrit, është emocion i papërshkrueshëm. Juriç më ka dhënë besim, por edhe më detyron të punoj shumë. Trajnerët e Veronës i kam të gjithë në zemër, e sidomos ata me të cilët kam punuar. Në fillim luaja si mesfushor, por me kalimin e kohës kalova në mbrojtje. Roli ka përgjegjësi dhe para çdo ndeshjeje i studioj mirë kundërshtarët”, përfundoi Kumbulla.