Kamatëvonesat, Hafizi: Teatër politik ndaj njerëzve të varfër

19.12.2016 19:51:44

Deputetja e LIBRA-s, Mimoza Hafizi e cilëson teatër politik në kurriz të njerëzve që përjetojnë ferrin e jetës, lajmin e mbrëmshëm të kryeministrit Rama që përveç shpërblimeve të fundvitit, tha se do t’u zerohen pensionistëve edhe kamatëvonesat e energjisë elektrike.

Me anë të një statusi në “Facebook”, deputetja Hafizi I kërkon kryeministrit të njohë minimumin jetik në Shqipëri. “Në një shtet që njeh minimumin jetik, asnjë kryeministër, as ai i mbrëmshmi në facebook, nuk do të kishte patur guximin t’ua marrë qytetarëve të vet lekët e detyrimeve dhe të kamatvonesës nga buka e gojës e ndihmës ekonomike”,- shkruan Hafizi.

Dje kryeministri dha lajmin se me vullnetin e tij mëshirëplotë, do të falë kamatvonesat e faturave të energjisë për kategorinë e njerëzve shumë të varfër. Për kategorinë e një grupi shqiptarësh që jetojnë shumë më poshtë se minimumi jetik.

Por gjithsesi, me një vullnet të paepur mizor, kryeministri do të vazhdojë t’ua marrë një për një të gjitha detyrimet e prapambetura të energjisë. Ato detyrime, që këta qytetarë të Republikës sonë nuk kanë mundur t’i paguajnë për një arsye të thjeshtë. Sepse të ardhurat e tyre nuk mjaftojnë as për bukën e gojës. Njerëzit me ndihmë ekonomike prej vitesh shtërngohen me dhunë të paguajnë detyrimet e sotme e të djeshme të energjisë, bashkë me kamatvonesat, ndërsa marrin në dorë, çdo ditë, vetëm 400 lekë të vjetra. Për t’u ushqyer, për t’u strehuar, për t’u veshur, dhe në fund edhe për të paguar energjinë elektrike bashkë me detyrimet disavjeçare. A mund t’ia dalin dot!?
Ne kërkojmë që shteti të llogarisë e të njohë minimumin jetik në Shqipëri! Ashtu siç ndodh në të gjitha vendet europiane, edhe në ato të rajonit tonë. Që kjo qeveri të mos e shohë varfërinë si cen, por si pasojë të pashmangshme e një rendi të egër social, ku i forti mund të dobëtin dhe shteti i bëhet krah të fortit.

Në një shtet që njeh minimumin jetik, asnjë kryeministër, as ai i mbrëmshmi në facebook, nuk do të kishte patur guximin t’ua marrë qytetarëve të vet lekët e detyrimeve dhe të kamatvonesës nga buka e gojës e ndihmës ekonomike. Nga ajo bukë goje që shqiptarët duan t’ia japin në solidaritet bashkëqytetarëve të tyre të flakur në mjerim.
Në një shtet që e njeh minimumin jetik si një e drejtë e jetës dhe e dinjitetit njerëzor, asnjë kryeministër, as ai i mbrëmshmi në facebook, nuk do të kishte guxuar të bënte teatër politik në kurriz të njerëzve që përjetojnë ferrin e jetës.