KDI: Qytetarët duan që Amerika të përfshihet në dialogun mes Kosovës e Serbisë

08.02.2018 13:30:50

49 për qind e qytetarëve mendojnë se dialogu Kosovë-Serbi nuk duhet të vazhdojë pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces, 30 për qind e tyre mendojnë se duhet të vazhdojë, ndërsa 21 për qind nuk e dinë nëse një gjë e tillë duhet të bëhet apo jo raporton “Zeri.info”.

Këto të dhëna i ka bërë të ditur Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes një hulumtimi të realizuar lidhur me pritshmëritë e qytetarëve rreth fazës përmbyllëse të dialogut Kosovë-Serbi, me titull: “Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, këndvështrimi i qytetarëve”.

Jeta Krasniqi, hulumtuese në KDI tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mos ketë epilog, raporton tutje “Zeri.info”.

“Edhe në këtë fazë kemi paqartësi, nuk e dimë ende cilat tema do diskutohen, çfarë epilogu do të ketë dhe kush do ta udhëheq atë. Gjithashtu ne ende nuk e dimë se për çfarë kompromise po flasim me Serbinë”, tha Krasniqi.

Gjithashtu në këtë hulumtim del se 51% e qytetarëve mendojnë që dialogu mes Kosoves dhe Serbisë nuk do të përmbyllet në vitin 2018, 22% mendojnë që do të përmbyllet dhe 27% e qytetarëve të anketuar nuk  e dinë a do ndodhë një gjë e tillë.

Po ashtu 50% e qytetarëve nuk besojnë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka arritur të përmirësoj marrëdhëniet mes dy shteteve.